Njerez

Dje tullacë, sot “kaçurrelsa” – Transformimet më simpatike në futboll!

Ka nga ata që nuk e vrasin aspak mendjen për faktin se nuk kanë flokë, por ka edhe nga ata që shpenzojnë shuma të çmendura për t’i shpëtuar tullacllëkut. Dhe ia kanë dalë, edhe pse jo të gjithë… Britanikja “The Sun” sjell disa transformime interesante të futbollistëve dhe ish-futbollistëve, të cilët nga tullacë, janë bërë “kaçurrelsa”.

Sulmuesi i famshëm anglez i D.C.Junajtid, Uejn Runi, duket se po e humbet “ndeshjen” e rënies së flokut, pavarësisht se deri tani ka shpenzuar 30.000 stërlina për disa transplante flokësh. Shumë të tjerëve u ka shkuar mirë.

Diego Pablo Simeone

Dy fytyrat e “Cholo” Simeones. Njëra prej tyre, ajo e para, nuk duket shumë simpatike, jo vetëm nga rënia e flokëve. Ndryshimi i ka sjellë buzëqeshjen trajnerit të Atletikos së Madridit, gjë që kuptohet fare lehtë. Me më shumë flokë, duket goxha më mirë.

Alfonso Munjoz

Alfonso Perez Munjoz, një jetë mes Betisit, Realit të Madridit, Barcelonës dhe kujdesit për veten. Ai nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se e kishte shumë siklet që ishte pa flokë dhe ndryshimi që ka bërë është i jashtëzakonshëm. Ndryshim, që sipas miqve të tij më të afërt, i ka zbukuruar jetën vërtet.

Jurgen Klop

Jo në mes të fushës, por në kokë. Ajo pjesë pa “bar” që trajneri gjerman i Liverpulit ka pasur, tani nuk ekziston më. Kushedi si ndihet Klop kur sheh veten në televizor të protestojë për një faull të paqenë apo për kohën shtesë… Me siguri tani i pëlqen më shumë vetja.

Iker Kasilas

Nuk është shumë e qartë, nëse portieri që ka fituar gjithçka me fanellën e Realit të Madridit dhe Spanjës ka kërkuar “ndihmë” për të pasur më shumë flokë, por krahasimi i dy fotove ngre shumë dyshime. Kasilas tani ka më shumë flokë se vite më parë dhe duket i rinuar.

Stefan Radu

Asnjë dyshim për rumunin Stefan Radu. Lojtari i Lacios duhet të ketë shkuar te një specialist mjaft i mirë, duke parë që rezultati është i qartë dhe gati perfekt. “Fusha” në kokën e mbrojtësit nuk ekziston më dhe ai duket shumë më bukur.

Gerardo Martinez

Gerardo Martino? Mesi&Co, kur ishte në krye të Argjentinës, bënë gjithçka që ai të humbte gjithë flokët që kishte në kokë, por, me sa duket, nuk ia kanë arritur qëllimit. Përkundrazi, ia kanë zbukuruar flokët.

Diego Lopez

Diego Lopez e di mirë se Italia të jep dhe të merr gjithçka. Ish-portierit të Milanit për pak i mori gjithë flokët, por nuk iu desh shumë kohë që të eliminonte një boshllëk jo të vogël në kokën e tij.

Antonio Konte

Ai është simboli i kësaj kategorie njerëzish dhe sportistësh, kështu që nuk ka nevojë t’i përmendet emri. Nuk e ka fshehur kurrë se ka kërkuar ndihmën e shkencës për të zgjidhur problemin e flokëve. Dikush, për nga ngjashmëria, e ka krahasuar me Paletën, para se ky i fundit të qethej zero, por tani, me atë tufë flokësh që ka trajneri, krahasimi është i pamundur.

Havier Farinos

Nuk ka nevojë për të bërë shumë histori në këtë rast, fotot flasin qartë. Jo vetëm flokët. Edhe buzëqeshja e tij duket shumë më e bukur për spanjollin që ka luajtur edhe me Interin, pasi ka ndryshuar diçka në modelin e flokëve.

Frenk De Bur

Nuk është Arjen Roben, por Frenk de Bur! Flokët i ka humbur të gjithë para se të vinte tek Interi… Duke lënë mënjanë shakanë, edhe këtu ndryshimi është evident. Me syze duket edhe më inteligjent, por pa flokët kjo pamje nuk do të ishte kurrë e arritshme.

Valter Zenga

Para se të qethej zero, edhe Valter Zenga ka provuar të rikthejë flokët, siç e tregon kjo foto, por që nuk dihet me saktësi kur është bërë. Ish-portieri i njohur italian tani ka vendosur të qethet zero për t’i dhënë fund historisë.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë