Drejtësia

Lihen në burg 5 personat e arrestuar për inceneratorin e Fierit

Gazeta Si – Pesë personat e arrestuar dy ditë më parë për inceneratorin e Fierit janë lënë në burg këtë të premte nga Gjykata e Posaçme. Ata janë njohur me masën e sigurisë në prani të avokatëve të tyre në seancën që ka nisur prej orës 11:30 dhe përfundoi pas rreth dy orësh.

Të gjithë personat e ndaluar kanë mohuar të kenë kryer shkelje të ligjit të prokurimeve apo të mos kenë pasur konstatime dhe mungesa të informacioneve dhe korrespondencave mes autoritetit kontraktor dhe shoqërisë koncesionare e cila ka fituar dhe tenderin për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Bëhet fjalë konkretisht për shtetasit Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi, ndërsa një i gjashtë është në masën “arrest shtëpiak”.

Ndërkohë vazhdojnë të jenë në kërkim edhe pesë persona të tjerë të dyshuar për çështjen e inceneratorit të Fierit, çështja e të cilit kulmoi në marsin e këtij viti, pas çështjes së regjistruar në vitin 2020.

Akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit e fundit janë: Korrupsioni pasiv, korrupsioni aktiv, shpërdorimi i detyrës, mashtrim me pasoja të rënda me skemat e TVSH-së.

Njëri prej tyre Arben Dervishaj, i cili ka pasur rolin e mbikëqyrësit sa i takon punimeve në inceneratorin e Fierit, dyshohet për korrupsion pasi ka firmosur situacione false sa i takon punimeve që në të vërtetë nuk ishin realizuar.

Ai gjithashtu dyshohet se është korruptuar nga shoqëria koncensionare në udhëtime me destinacion Italinë ku ka ndjekur ndeshje futbolli.

Edhe 4 të tjerët janë administratorë të tetë kompanive private që firmosën punimet dhe u bënë shkak që shoqëria koncensionare të kishte fitime.

Në marsin e këtij viti në lidhje me këtë çështje u vendosën arrest me burg ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie Alqi Bllako.

Në këtë skemë numri i personave të dyshuar ka shkuar në 20, ndërsa SPAK vijon hetimet edhe për të tjerë.

Ata akuzohen nga SPAK si përgjegjës për një skemë mashtrimit me fatura fiktive në punimet e kryera në inceneratorin e Fierit, që i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 565 milionë lekësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë