Drejtësia

SPAK lëshon 11 urdhër-arreste, 5 në pranga për inceneratorin e Fierit. Mes tyre dhe zv.presidenti i FSHF-së

Gazeta Si - Tetë muaj pas përmbylljes së hetimeve paraprake për dosjen e inceneratorit të Fierit, Prokuroria e Posaçme ka lëshuar edhe 11 masa sigurimi të tjera, 5 prej të cilave janë ekzekutuar nga policia.

Ndërkohë një prej personave, i cili ka një masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë nuk është arritur të gjendet.

Mes të arrestuarve është edhe Arben Dervishaj, biznesmen dhe zv.president i Federatës Shqiptare të Futbollit, i akuzuar për mashtrim dhe korrupsion.

Ndërsa në kërkim është shpallur Arjola Kodra, administratorja e inceneratorit të Tiranës, e cila dëshmoi para pak kohësh në Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë aferë.

Sa i përket 5 të tjerëve, nga verifikimet ka rezultuar se janë jashtë vendit. Aktualisht operacioni është në vijim, ndërsa policia po kryen disa kontrolle banesash dhe ambientesh.

Në një njoftim të SPAK, akuza ndaj tyre është për veprat penale: “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Sipas SPAK, Arben Dervishaj ishte mbikëqyrës i punimeve dhe sipas hetimeve të kryera deri më tani ka firmosur situacione të falsifikuara për punime të cilët nuk janë kryer dhe që ka shkaktuar një dëm në vlerën e 4 milion eurove.

Masat e arrestit janë dhënë për shtetasit:

Juri Ymeraj

Arbër Denizi

Silvester Dreza

Gentian Zifla (i arrestuar)

Enver Sheshi (i arrestuar)

Arjola Kodra

Robert Shabani (i arrestuar)

Regan Merdani (i arrestuar)

Luran Dusha

Arben Dervishaj (i arrestuar).

Giuseppe Ciaffaglione

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, del se ata kanë pasur në dorë administrimin e kompanive që kanë kryer punimet në inceneratorin e Fierit.

Kjo veprimtari është bërë në bashkëpunim edhe me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe dyshohen në fakt edhe për pastrim të parave.

Ndërkohë, personat e tjerë për të cilët janë lëshuar masat e sigurisë, kanë qenë administratorë të kompanive, të cilët janë bërë pjesë të një skeme të lëshimit të faturave fiktive, ashtu sikurse u konstatua edhe në rastin e inceneratorit të Elbasanit dhe për të cilën edhe në këtë rast janë ngritur dyshime për pastrim parash.

Dy prej administratorëve të kompanive, të cilat kanë lëshuar këto fatura fiktive dhe janë shpallur në kërkim nga ana e SPAK, dyshohen edhe për akuzën e korrupsionit. Kjo për shkak të vlerave monetare të dhëna për babain e ish-deputetit Alqi Bllako.

Këto hetime përmbyllin një fazë të dytë për inceneratorin e Fierit. Ndërkohë që hetimet vijojnë dhe dosja është ende e pa përfunduar.

Në një aksion të marsit të kaluar për inceneratorin e Fierit, SPAK konstatoi se janë shkelur procedurat për dhënien e koncesioneve, por edhe janë konsumuar vepra penale nga zyrtarë deri të nivelit më të lartë.

Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, Alqi Bllako ish deputet dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohet zyrtarisht nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre. 

Nga 10 masa sigurie 8 kanë qenë masa 'arrest me burg' dhe 2 në 'arrest shtëpie' për Inceneratorin e Fierit. Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Erjon Murataj, Florjan Muçaj, Klodian Zoto si dhe Arenc Myrtezani janë lënë në qeli.

Ndërkohë që 2 gratë Sabina Cenameri si dhe Etleva Kondi janë lënë në ‘arrest shtëpie’. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të Komisionit të Prokurorimit për Inceneratorin e Fierit. 

Edhe për Pëllumb Abeshin dhe Etleva Kondin janë marrë të njëjtat masa edhe për Elbasanin. Në Elbasan gjithashtu është në burg Bardhyl Çabiri si dhe në arrest shëpie Jonida Zeqo dhe Serafin Papa. 

Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjykatë masë sigurie “arrest me burg” për biznesmenin Mirel Mërtiri, bashkëjetues i Stela Gugallias, i cili sipas akuzës është pronari faktik i kompanisë përfituese.

Mërtiri i cili është shpallur në kërkim sipas prokurorisë fshihej pas emrit të bashkëjetueses së tij dhe dyshohet se është përfitues direkt edhe në incineratorin e Elbasanit.

Gjithashtu një masë të dytë për rastin e Elbasanit pritet t’i komunikohet edhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, i cili në këtë dosje akuzohet për shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë