Gazeta Si – Pasi u shpall e pafajshme në Shkallën e Parë të GJKKO-së, komisionerja e KPK Etleda Çiftja, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Apelit, pasi SPAK ankimoi vendimin.
Por seanca e parë në Apelin e GJKKO-së u shty, sepse gjyqtari i çështjes Dhimitër Lara u dorëhoq nga trupa gjykuese, pasi Çiftja ka qenë pjesë e trupës së rivlerësimit për Larën në KPK.
Ndërkohë, avokati i Çiftjes, mbajti një qëndrim të ashpër para mediave dhe tha se Kushtetuta sot nuk ka asnjë vlerë për qytetarët.
“Ne jemi në kushtet që jemi kallëzuesi e viktima, tani për ta përkufizuar, sot në sistemin e drejtësisë, Kushtetuta s’ka asnjë vlerë. E vetmja vlerë që ka kjo Kushtetutë është që në momentin që të ndërpritet energjia, që mos kesh as ujë për t’u larë, kjo Kushtetutë u shërben qytetarëve shqiptarë për të fshirë b*thën”.
Avokati i Çiftjes shtoi se në rastin konkret, “kanë hequr gjyqtarët e ndershëm, kanë lënë këta gjyqtarë e prokurorë, që lëkunden. Pra kanë hequr gjithë pjesën veriore e kanë lënë jugun që binden urdhrave.
Ai shtoi se gjatë procesit gjyqtari ka dhënë dorëheqjen pa arsye: “Jemi në pritje më 2 dhjetor më 9:30. Ne do vijojmë deri sa të shprehet gjykata. Unë mendoj që janë shkelur gjithë procedurat ajo çështje duhet të kthehet dhe një herë në shkallën e parë dhe pastaj të japin një vendim tjetër”.
Një javë më parë, Prokuroria e Posaçme ka apeluar vendimin e GJKKO ndaj anëtares së KPK-së, Etleda Çiftja.
GJKKO e shpalli komisioneren të pafajshme me 16 shtator të këtij viti, duke hedhur poshtë akuzat për deklarim të rremë të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
SPAK kërkon në apelin e GJKKO dënimin me një vit burg, konvertuar në shërbim prove për Çiftjen, pasi e akuzon për falsifikim dokumentesh dhe deklarim të rremë pasurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




