Drejtësia

Arben Kraja flet për grupet kriminale: Janë bërë të egra, tregtojnë drogë edhe në Dubai

Gazeta Si – Kreu i SPAK-ut Arben Kraja ka pranuar se krimi shqiptar i ka shtrirë tentatkulat në çdo cep të botës.

Gjatë Konferencës së sotme për “Krimin e Organizuar ndërkombëtar”, Kraja pohoi se grupet kriminale shqiptare janë bërë shumë më të rrezikshme dhe kanë ndryshuar aktivitet.

Sipas tij, tashmë po operojnë nga vendet e origjinës si Amerika Latine ku prodhohet droga, deri në vende të tjera ku tregohet, deri dhe në Dubai.

“Grupet kriminale kanë ndryshuar aktivitetin kohët e fundit. Kanë shtrirë aktivitetin në vendet ku prodhohet droga, ku tregtohet madje edhe në Dubai. Gjithashtu grupet kriminale janë bërë shumë të egra. Flas për shkak të vrasjeve të ndodhura kohët e fundit, teknologjia që ata përdorin, siç janë telefonat apo edhe paratë e pista”.

Një deklaratë që konfirmon edhe praninë e dhjetëra personazheve shqiptarë të botës së krimit, të cilët jetojnë në Dubai, nga ku dhe vijojnë tregtinë e drogës.

Po kështu, sipas kreut të SPAK, grupet shqiptare kanë investuar edhe në përdorimin e teknologjisë.

“Gjithmonë e më shumë krimi i organizuar shqiptar rrit aktivitetin e tij. Nuk ndryshon përmbajtje, por ndryshon formë, duke u përshtatur me mbijetesën për të eliminuar grupet e tjera dhe për të kapur tregjet. Karakteristikat e tij janë të veçanta në disa pikëpamje”.

Duke bërë një bilanc, Kraja tha se deri tani janë 120 persona të arrestuar në dy operacione të përbashkëta me autoritetet italiane si dhe janë sekuestruar 18.30 milionë euro.

Kraja deklaroi gjithashtu se “nga bashkëpunimi me SPAK, skuadra e Barit ka sekuestruar rreth 7 tonë drogë”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Prokurori i Antimafies italiane, Giovanni Melillo, Drejtuesi i Prokurorisë Romë, Francesco Lo Voi, drejtues të Prokurorisë së Barit dhe Sandër Simoni, gjyqtar në Gjykatën e Lartë e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë