Gazeta Si – Babë e bir, të arrestuar në Shkodër pak ditë më parë, kanë mbajtur qëndrim mohues për sekuestrimin e arsenalit të armëve në banesën e tyre.
Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Petrit Kubazi dhe djalin e tij Gledis Kubazi.
Në banesën e tyre, policia gjeti armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera.
Gjatë seancës për masën e sigurisë, Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka pasur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre.
Vetëm dy armët e gjahut, 52-vjecari pretendon se janë me leje ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.
“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodheshin në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend, por nuk ka pasur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar. Të nesërmen në mëngjes erdhi policia. Armën e gjahut shotgun e kam me leje sepse unë jam gjuetar, ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam patur asnjë ide se janë në banesën time. Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet”, ka thënë Petrit Kubazi.
Ndërsa djali i Petrit Kubazit, Gledisi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallëpet e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët i kishte gjetur një natë më përpara, por pa e ditur se çfarë janë.
“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara, por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë, por nuk kam patur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20-vjeçari.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës kërkuan që gjykata të linte me masë sigurie “arrest shtëpie” 20-vjeçarin Gledis Kubazi dhe me të drejtë që të vijojë të ndjek shkollën e mesme.
Pasi dëgjoi palët Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për babë e bir ndërsa është në gjendje të lirë djali i vogël duke qenë se është minoren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




