Ndërsa “loja e fajësimit” filloi në Silicon Valley, themeluesi i Meta, Mark Zuckerberg dhe shefi ekzekutiv i Alphabet, Sundar Pichai, folën këtë javë për gjendjen ekonomike në botë dhe për problemet që po hasin platformat, sidomos me reklamat.
Reklamuesit amerikanë janë gati për të shpenzuar 65.3 miliardë dollarë në rrjete si Facebook, Snap dhe Twitter këtë vit, rritje që është rreth 10 herë më e ngadaltë se në vitin 2021.
Ngadalësimi i mediave sociale është pothuajse i njëjtë me mediat tradicionale si televizioni dhe radio, audienca e të cilave është zvogëluar shumë.
Me kthimin e ekonomisë, rritjen e inflacionit dhe bllokimin e zinxhirëve të furnizimit, disa reklamues të mëdhenj po marrin një qasje më të kujdesshme. Shefi financiar i Metës, David Wehner, u tha analistëve se rritja nga reklamuesit e mëdhenj “mbetet një sfidë”.
Tregtarët, nga shërbimet financiare deri te mallrat e konsumit, “të gjithë duhet të rimendojnë se si do të reklamojnë”, tha Phil Smith, drejtor i përgjithshëm i ISBA, organi që përfaqëson reklamuesit britanikë.
Colgate-Palmolive tha para disa ditësh se do të ulë shpenzimet e saj për marketing. Por Coca-Cola dhe Nestlé po bëjnë të kundërtën.
Eksperti Martin Sorrell vuri në dukje se tregu i përgjithshëm i reklamave dixhitale pritet të rritet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm.
“Thashethemet për ‘vdekjen’ e tij janë shumë të ekzagjeruara”, tha ai.
Një arsye pse kompanitë nuk duan të reklamojnë më në platformat sociale janë videot e shkurta. TikTok ka fituar popullaritet pikërisht për këtë dhe kështu ka larguar vëmendjen nga Instagram dhe Snapchat. Por ndërsa vëmendja e konsumatorëve zvogëlohet, po kështu zvogëlohet edhe koha për t’u shërbyer atyre reklamave.
Por as TikTok nuk ka arritur të fitojë para me sukses nga reklamat e tij, sipas stafit të kompanisë. Analistët vlerësojnë se platforma do të gjenerojë rreth 5 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat në SHBA këtë vit.
Por kërcënimi i TikTok ka frikësuar Facebook dhe YouTube që tani po krijojnë mënyra për të fituar para me reklamat.
Ndërkohë Instagram ka vënë bast në Reels, formatin e videove të shkurta por duke u akuzuar se thjesht po kopjon TikTok-un.
Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, këmbënguli këtë javë se biznesi i saj i ri i reklamave në App Store nuk ishte “i madh në krahasim me të tjerët”. Sidoqoftë, ai biznes është rritur me shpejtësi në të njëjtën kohë kur kufizimet e privatësisë së iOS të prezantuara vitin e kaluar kanë hequr një shumë prej 10 miliardë dollarësh nga të ardhurat e Metës.
Këtë javë, Meta akuzoi Apple për “nënvlerësim të të tjerëve në ekonominë dixhitale për të rritur biznesin e tyre”.
Ndërsa argëtimi interaktiv lulëzoi gjatë dekadës së fundit, prodhuesit e lojërave u bënë reklamues të mëdhenj për platformat dixhitale.
Shitësit me pakicë, duke përfshirë Walmart dhe Target, kanë ndërtuar në heshtje bizneset e tyre të marketingut dixhital, duke ndjekur shembullin e Amazon. Kjo ka hapur në mënyrë efektive një kërcënim të ri konkurrues për platformat e mediave sociale.
Kështu reklamuesit papritmas kanë pasur më shumë zgjedhje se si të arrijnë konsumatorët.
Mark Mahaney analist, thotë se një arsye pse reklamuesit janë larguar nga rrjetet sociale janë politikat e Meta për të krijuar një lidhje ndryshe midis reklamave dhe klientëve.
Drejtuesit e Meta insistuan se thjeshtë kanë përmirësuar teknologjinë e reklamave.
“Unë mendoj se ata që janë të durueshëm dhe investojnë me ne do të përfundojnë duke u shpërblyer”, tha Zuckerberg.
Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



