Drejtësia

Konfiskohet kompleksi “Colombo” në plazhin e Durrësit, pasuri me vlerë 1 mln euro nga trafiku i drogës

Gazeta Si – Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar një hotel dhe bar, kompleksi “Colombo”, në zonën e Plazhit me vlerë rreth 1 milion euro, që i përkasin shtetasit Pëllumb Tuda.

Prokuroria argumenton se pasuria është si rrjedhojë e aktivitetit kriminal të një personi dyshuar për 4 vepra të ndryshme penale.

Tuda rezulton i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe ndaj tij në 2017 kishte nisur një hetim për pastrim të “produkteve te veprës penale”.

Në 2020 u vendos sekuestro e pronave të tij ndërsa pas më shumë se dy vitesh u vendos konfiskimi.

Sipas Prokurorisë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për procedimin pasuror… rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për sekuestrimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit Tuda, për këto arsye:

Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ky shtetas është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Së dyti: Ky shtetasi zotëron drejtpërsëdrejt në emër të tij pasuritë, objekt sekuestrimi. Ai përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a.

Së treti: Provohet që vlera e pasurive, objekt sekuestrimi, nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar.

Mbi këtë bazë… Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit Tuda, pasurinë pallat, objekt Hotel + Bar në Plazh Durrës me vlerë 1,000,000 Euro.

51-vjeçari Pëllumb Tuda është një emër i njohur për drejtësinë dhe ka dalë në pah të paktën në dy episode të rënda. Mediat kanë raportuar se Tuda doli me leje nga burgu në korrik të vitit 2014 dhe plagosi dy persona në këtë qytet duke u arrestuar sërish. Ai është denoncuar para 7 viteve nga banakjerja në lokalin diskon në pronësi të tij sepse ka dashur që ta prostituonte dhe kur vajza e kishte refuzuar e kishte rrahur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë