Menaxhim

Nis aplikimi për subvencionimin e paneleve diellore të familjeve. Kusht pranimi, konsumi mbi 250 KWh në muaj

Nga Gazeta ‘SI’ – Sot (1 nëntor) janë hapur aplikimet për familjet shqiptare që kërkojnë të subvencionohen për instalimin e paneleve diellore deri në 70% të vlerës së tyre.

Skemë mbështetëse për krizën energjetike është rikujtur dhe njëherë nga kryeministri Edi Rama, i cili shkroi në rrjetet sociale: “Qeveria Shqiptare do vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë konsumatorin në këtë situatë krize energjie globale. 70% subvencionim nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë për panelet me ngrohje diellore”.

Nga ky projekt pilot ku do të përfitojnë 2 mijë familje, synohet ulja e konsumit të energjisë në rrjet dhe zëvendësimi me atë autoprodhues.

Fillimisht familjarët vërtetojnë që janë abonentë familjarë që konsumojnë më shumë se 250 kilovat në muaj. Të vërtetojnë që nuk janë debitorë ndaj OSHEE dhe të zotërojnë çertifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen). Si edhe dërgimin e fotove se ku planifikohet instalimi i paneleve diellore.

Dy ditë pas aplikimit, familjarët marrin përgjigje dhe në rast se shpallen fitues, duhet të konfirmojnë porosinë për panelet diellore brenda 7 ditësh pune tek subjektet që janë shpallur fitues nga Agjencisë për Efiçencën e Energjisë për të implementuar këtë projekt. Familja paguan vetëm 30% të kostos dhe fatura i dërgohet AEE-së nga subjekti.

Familjet që nuk konfirmojmë porosinë brenda 7 ditëve pune humbasin të drejtën e financimit me 70% për koston e paneleve diellore, por mund të riaplikojnë përsëri. Nga momenti kur familja paguan koston prej 30% për panelet diellore, subjektet tregtare duhet të instalojnë sistemin brenda 15 ditëve pune.

Ndërkohë, mbrëmjen e shkuar, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tha se java e parë e nëntorit do të shërbejë si provë për të vendosur fashën 800 KWh, si nga ana e konsumit dhe nga prurjet në kaskadë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë