Gazeta Si – Prej dy ditësh, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin.
I vetmi person që ndodhet në qeli është vetëm ish-kryabashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes, ndërsa për personat e tjerë ende nuk ka asnjë gjurmë.
Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre, por pa ia arritur qëllimit.
Në këto kushte, ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.
Gjykata e Apelit në Shkodër shpalli të premten e kaluar, 28 tetor, vendimet në lidhje me akuzat për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin për 18 persona.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg.
Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia, dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renata Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga Apeli me 1 vit shërbim prove.
Dy përfitues të pronave të tjetërsuara po ashtu u lanë në dënim me kusht. Për personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.
Sa i takon Frrokajt, ish-kryebashkiaku i Lezhës qëndroi në pranverën e 2018-ës për 3 muaj në burg dhe u lirua më vonë me “arrest shtëpie”, masë e cila u zbut më tej në gjendje të lirë gjatë procesit në Apel. Por vendimi i kësaj të premteje e kthen atë edhe një herë në qeli, ku tashmë është vendosur në burgun e Reçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




