Ka ndodhur

Bularat, ceremoni përkujtimore në kishën e fshatit për 4-vjetorin e vdekjes së Kacifas

Gazeta Si - Dhjetëra miq dhe të afërm kanë përkujtuar këtë të premte në Bularat 4-vjetorin e vdekjes së Kostandinos Kacifas, i cili u vetëvra, pasi më herët pati një shkëmbim me armë zjarri me forcat RENEA në 28 tetor 2018.

Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në fshatin e Dropullit, u mbajt një meshë fetare nën drejtimin e klerit ortodoks grek në Gjirokastër.

Disa persona nuk kanë lejuar mediat të afrohen në ambientet e jashtme të kishës dhe varrit ku prehen eshtrat e Kacifasit.

Ditën e festës kombëtare greke, që përkujton fillimin e luftës me Italinë, 35-vjeçari qëlloi me kallashnikov ndaj një patrulle policie që ndodhej në fshat, duke rrezikuar jetën e policëve.

Pas lokalizimit nga policia në Bularat, Kacifas nuk iu bind urdhrit për të hedhur armën, duke refuzuar të dorëzohet, madje duke qëlluar me armë në drejtim të RENEA-s për më shumë se 30 minuta.

Ekspertiza e mjekëve ligjorë shqiptarë, ka arritur në përfundimin se ekstremisti grek u vetëvra, duke sjellë edhe pushimin e hetimeve.

Vdekja e tij shkaktoi përplasje dhe tensione diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ndërsa familja e tij vazhdon të akuzojë autoritetet shqiptare për vdekjen e djalit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë