Gazeta Si – Prania e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu para Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ka shkaktuar debate dhe akuza nga ana e opozitës.
Sipas deputetëve të Partisë Demokratike, Veliu nuk duhet të prezantonte projekt-buxhetin e vitit 2023, duke e cilësuar “një kriminel me uniformë” dhe manipulues të disa ngjarjeve kriminale në vend.
Opozita kërkoi shtyrjen e mbledhjes për një ditë tjetër, por refuzimi nga ana e kryetarit të komisionit Nasip Naço solli dhe largimin e tyre nga salla në bllok.
Deputetët Ervin Salianji dhe Flamur Noka ishin ata që kundërshtuan fort seancën, duke thënë se Veliu duhet të përgjigjet për vdekjen e Lear Kurtit dhe të dalë para drejtësisë.
Sapo nisi raportimin, Veliu u ndërpre menjëherë nga Salianji, i cili i kërkoi Naços që drejtori i AMP-së të dilte jashtë.
“Këtu çfarë nuk ka ndodhur, ne bëjmë sikur s’ka ndodh gjë… Kanë vdekur njerëz, qetësinë kur vriten njerëz nuk e mbajmë dot ne. Propozoj shtyrjen e mbledhjes. Kjo është si letra e dorëheqjes, skandal”, – tha ai, duke parë raportin që kishte përgatitur Veliu.
Më tej, Salianji hodhi akuza më të rënda ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit: “Sillni një dokument tjetër, jo dokument analfabetësh, ky dokument as nuk kuptohet gjë. Mirë për të shkruar e për të lexuar, por jepini një abetare drejtuesit që keni këtu. Sillini në abetare, sillni dikë tjetër që di të shkruajë dhe lexojë”.
Ndërsa Nasip Naço i ftonte kolegët të ruanin qetësinë, deputeti socialist Xhemal Qefalia u shpreh: “Kemi kompetencën ta ftojmë si drejtorin e policës të vijë në seancë dhe të veprojë, ka ikur koha e proceduarve, ka ardhur koha e veprimit, të kalojmë të rendi i ditës”.
Qëndrim të ashpër mbajti edhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili tha se Ardi Veliu nuk duhej të ishte i ulur para deputetëve, por para drejtësisë.
“Sot para deputetëve është ulur një ish drejtues policie, sot në krye të AMP-së që nëse në këtë vend do të kishte shtet ligjor e demokraci e jo autokraci, e drejtësi, zotëria duhej të ishte para drejtësisë. Është manipuluar ngjarja e Elbasanit. Është manipuluar vrasja e Klodian Rashës. Edhe për vrasjen e Lear Kurtit vrapoi të manipulojë ngjarjen e ta shpallë kriminel”, – akuzoi deputeti demokrat.
Noka vijoi se opozita “refuzon që një kriminel me uniformë ta pranojë si titullar në emër të ligjit. Ai duhej të ishte viktimë e ligjit”.
Opozita u largua duke ngritur zërin se mbledhja nuk mund të vijonte, pasi nuk kishte kuorumin, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga socialistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.