Teknologji dhe Inovacion

Elon Musk blen Twitter dhe që tani filluan ndryshimet

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka përfunduar blerjen e Twitter prej 44 miliardë dollarësh, sipas mediave amerikane dhe një investitori në firmë.

Ai shkroi në Twitter “zogu është i lirë”, në një referencë të dukshme për mbylljen e marrëveshjes.

Një numër drejtuesish të lartë, duke përfshirë shefin, Parag Agrawal, shefin financiar dhe drejtuesin ligjor thuhet se janë shkarkuar.

Kjo marrëveshje mbyll një sagë të gjatë ku prej kohësh flitej për këtë blerje.

Twitter nuk e ka konfirmuar ende blerjen, por një investitor në kompani i tha BBC-së se marrëveshja është përmbyllur.

Musk, i vetëquajtur “absolutist i fjalës së lirë”, ka qenë kritik ndaj politikave të moderimit të Twitter dhe njerëzit kanë qenë të ndarë pro tij dhe kundra tij.

Ross Gerber, aksioner në Twitter dhe kompaninë tjetër të Musk Tesla, i tha BBC-së se raportet që tregonin se 75% e stafit në kompaninë e mediave sociale do të humbnin punën e tyre ishin “të pasakta”.

Ai tha se humbjet e vendeve të punës do të vareshin nga “sa i mirë është stafi”, por dhe se shifra fillestare e përmendur ishte 50%.

“Ka shumë njerëz të talentuar në Twitter, veçanërisht në anën inxhinierike dhe ata duan të mbajnë sa më shumë të jetë e mundur nga këto njerëz”, tha Gerber.

Musk thotë se ai bleu platformën e mediave sociale për të ndihmuar njerëzimin.

Në fillim të kësaj jave, Musk postoi në Twitter një video të tij duke hyrë në selinë e Twitter në San Francisko duke mbajtur një lavaman kuzhine me mbishkrimin: “Lëreni atë të futet brenda!”

Ai gjithashtu ndryshoi profilin e tij në Twitter në “Chief Twit”.

Investimet e hershme të Musk në Twitter fillimisht i shpëtuan vëmendjes së publikut. Në janar, ai filloi të bënte blerje të rregullta të aksioneve, kështu që nga mesi i marsit kishte grumbulluar 5% të aksioneve në firmë.

Në prill, ai u zbulua si aksioneri më i madh i Twitter dhe në fund të muajit, më në fund u arrit një marrëveshje për të blerë kompaninë për 44 miliardë dollarë.

Ai tha se planifikonte të ‘pastronte’ aplikacionin nga llogaritë e padëshiruara dhe ta ruante atë si një vend për fjalën e lirë.

Por nga mesi i majit, Musk kishte filluar të ndryshonte mendje për blerjen, duke përmendur shqetësimet se numri i llogarive të rreme në platformë ishte më i lartë sesa pretendonte Twitter.

Në korrik, ai tha se nuk dëshironte më të merrte kompaninë.

Në fillim të tetorit, Musk ringjalli planet e tij për blerjen e kompanisë.

Nuk ka pasur ende asnjë koment nga Twitter në lidhje me ekipin e ri të menaxhimit, por kushdo që të bëhet shefi i ardhshëm ekzekutiv i saj, është e qartë se Musk përfundimisht do të jetë në krye të kompanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë