Gazeta Si – Në një linjë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, edhe kreu i SPAK Arben Kraja ka konfirmuar se gjyqtarë dhe prokurorë të sistemit të ri të drejtësisë janë kërcënuar, pasi ata po hetojnë dosje shumë të nxehta.
Kraja theksoi se këta prokurorë dhe gjyqtarë të GJKKO-së janë duke hetuar dosje të ndryshme, mes tyre dhe ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“Prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK-ut kanë për të trajtuar çështje shumë të vështira me personazhe shumë kompleks qoftë të krimit të organizuar apo zyrtarë të nivelit të lartë. Ka pasur indicie që ka pasur dhe kërcënime dhe presione”, – pohoi Kraja.
Por përballë këtyre kërcënimeve, kreu i SPAK theksoi se “shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë mbrojtje nga policia”, duke shtuar nga ana tjetër se “nuk është detyrë e SPAK të bëjë verifikime të tilla”, por “secili prej tyre duhet të vazhdojë detyrën dhe funksionet siç e parashikon ligji”.
Kraja po ashtu tha se shumë dosje janë gati në përfundim të hetimeve, pasi prokurorët e SPAK po punojnë çdo ditë.
I pyetur nëse pritet arrestimi i ndonjë “peshku të madh”, Kraja u shpreh se puna vijon çdo ditë, teksa përmendi edhe rastin e sotëm, ku SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar gjykim për ish kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokajn dhe 10 persona të tjerë pasi akuzohen për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit.
Thuajse dy javë më parë, ishte ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ajo që dha alarmin se gjyqtarë dhe prokurorë po joshen ose frikësohen për të mosndëshkuar të njerëzit e fuqishëm.
Teksa mandati i tij në krye të SPAK-ut po mbaron dhe ende nuk ka asnjë kandidat pretendent, Kraja pati një koment duke thënë se nuk ka informacion se asnjë nuk futet në garë për shkak të ndonjë presioni. “Gara është e hapur s’ka mbaruar afati. Nuk di të ketë trembje”, tha ai.
Në fakt, në 2 nëntor 2022, përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave për këtë post. E kur kanë mbetur vetëm pak ditë, ende nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për t’u ulur në karrigen që do të lihet bosh nga kreu i aktual i SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




