Gazeta Si- Në ditën e gjashtë të bojkotit, pedagogët u janë drejtuar me një letër të hapur Presidentit të Republikës, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, krerëve të grupeve parlamentare si dhe ambasadave të BE, SHBA, Mbretërisë së Bashkuar duke i informuar lidhur me protestën e tyre.
Kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi, teksa lexoi letrën drejtuar institucioneve diplomatike, u shpreh se qeveria po përpiqet të politizojë protestën me qëllim për të lënë të pazgjidhura kërkesat e tyre.
“Qeveria është përpjekur t’i konsiderojë politike, me qëllim për ti lënë të pazgjidhura këto kërkesa. Çdo kërkesë e paraqitur ka si synim rritjen e cilësisë së arsimit, frenimin e largimit të rinisë.
Me anë të kësaj letre të hapur, synojmë t’iu informojmë duke kërkuar mbështetje për situatën aktuale. Rama të ndalojë intimidimin dhe të trajtoje me seriozitet kërkesat. Të plotësohen kërkesat për të marrë fund bojkoti dhe të rinisë mësimdhënia”, tha kryetari i sindikatës.
Ndër të tjera kryetari i sindikatës thekson se është i bindur se çështjet e renditura janë vetëm një pjesë e problematikës me të cilën përballen Universitetet Publike shqiptare sot.
Pedagogë të rinj u bënë pjesë e protestës ditën e sotme duke thënë fjalën e tyre për herë të parë në një javë bojkot.
Edhe pse ka qenë pjesë e pedagogëve që kanë bojkotuar mësimin, Aleko Miho pedagog në Fakultetin e Shkencave, departamenti i Biologjisë ishte një nga pedagogët që për herë të parë foli për bojkotin duke thënë se edhe pse vetë është me bindje të majta, është pjesë e bojkotit sepse kërkesat janë legjitime.
Gjithashtu edhe Elior Vila nga Universiteti i Elbasanit ishte një tjetër pedagog që sot kishte vendosur të thonte fjalën e tij në protestë për herë të parë duke thënë se do të tregojë mbështetjen e tij për të gjithë pedagogët.
Ndërkohë situata në Universitetet e Tiranës vazhdon e njëjta ku pedagogët që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e bojkotit vazhdojnë të bëjnë mësim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



