Gazeta Si – Dy kamerunasit Zinedin Nkeh dhe Jose Ngakam, janë dënuar me nga 6 vite burg secili, pasi u shpallën fajtorë për futjen e 1.7 mln eurove të falsifikuara në Shqipëri.
Ndërkohë që është shpallur e pafajshme zvicerania Jeniffer Chollet, që akuzohet si bashkëpunëtore e tyre.
Gjatë kontrollit nga policia në muajin shkurt, në bagazhet e tyre janë gjetur sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).
Ata janë shpallur fajtor për veprën penale të “falsifikimit të monedhave e kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”.
Sipas Prokurorisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të fusin në qarkullim në territorin e Shqipërisë më 17 shkurt në aeroportin e Rinasit, rreth 1.2 milion euro, kartëmonedha te cilat i janë sekuestruar shtetasit Jose Ngankam.
Më 17 shkurt, policia kufitare në Rinas arrestoi një shtetas nga Kameruni, pasi në çantën e tij të udhëtimit u gjet një shumë prej 1 milion e 75 mijë euro që dyshohet se ishin të falsifikuara.
Sipas policisë 53-vjeçari, Josou Ngankam, për të ardhur në Tiranë ka kaluar tranzit nga Parisi në Turqi me destinacion final Shqipërinë.
Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij u arrestuan disa ditë më pas. Zviceriania Jennifer Chollet jetonte prej disa vitesh në Shqipëri dhe emri i saj si bashkëpunëtore është shfaqur pas marrjes së deklarimeve të Ngankam.
Përveç bashkëpunimit në shit-blerje të pronave që kishte krijuar në Tiranë, ajo po ashtu kishte krijuar lidhje edhe me pika të këmbimit valutor.
Ajo tha se nuk është fajtore dhe nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen e kapjes së parave false në Rinas.
I arrestuari tjetër, Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte “Toni”, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




