Nga Gazeta Si – Sindikata e punonjësve të Arsimit të Lartë do të përshkallëzojë bojkotin duke lajmëruar se ditën e nesërme (e enjte) do të ketë një protestë kombëtare.
Në orën 11:00 do të zhvillohet protesta kombëtare në formën e bojkotit total përpara Godinës së Korpusit Qëndror tek Universiteti Politeknik ku do të marrin pjesë të gjitha universitetet publike të vendit.
“Ftojmë edhe studentët që të japin mbështetje me prezencën e tyre”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Pedagogët i janë përgjigjur me anë të një deklarate Kryeministrit Rama i cili ditën e djeshme tha se pedagogët do i nënshtrohen një vlerësimi të pasurisë duke qenë se “tjetër pagë marrin në privat dhe tjetër pagë deklarojnë”.
Kryetari i sindikatës Sandër Kovaçi tha se nxjerrja e ‘vetingut’ në këtë moment tregon një frymë shantazhi të kryeministrit dhe është e pabesueshme kjo ide e tij.
“Ka pasur mundësi 9 vjet qeverisje pas grevës së studentëve të bëjë transparencë të drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë publik sa i përket vetingut”, tha ai duke shtuar se profesorati deklaron pranë tatimeve të ardhurat e Rama të mos krijojë tymnajë që profesorati është i pasur, por është shumë i varfër dhe është një shtresë e varfër aktualisht.
“Rama të mos merret me 1 person që ka mundësi, këtu bëhet fjalë për masën totale të elektoratit”.
Gjithashtu Kovaçi tha se ka një sensibilizim nga ana e të gjithë pedagogëve në Shqipëri dhe bojkoti do të vazhdojë.
Në ditët në vijim sindikata do të lajmërojë për forma të tjera protestash në rast se nuk ka një marrëveshje me qeverinë.
I pyetur nëse rrezikohet viti akademik, kryetari i sindikatës tha i prerë se “Jo, nuk ka rrezik që të digjet viti akademik”.
Edhe ditën e sotme, në ditën e tretë të bojkotit, vijon e njëjta situatë nëpër universitete ku disa prej tyre kanë bojkotuar plotësisht mësimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



