Arsim

Të pakënaqur nga bojkoti i pedagogëve: Studenti mbetet gjithnjë viktima

Nga Ina Ahmetaj – Student dhe prindër janë përgjithësisht të pakënaqur nga bojkoti i pedagogëve të universiteve publike. Mëgjithëse është njoftuar se orët e humbura do të zëvendësohen, ata janë të paqartë se si do të veprohet dhe të pakënaqur që do t’u bjerë të bëjnë mësim edhe të shtunave.

“E hëna duhet të ishte një ditë gëzimi për vajzat e mia. Njëra prej tyre, më e vogla u ul për herë të parë në auditor në Fakultetin Ekonomik, në degën e Informatikës Ekonomike, këtu në Tiranë, ndërsa vajza e madhe vijon vitin e dytë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Por bojkoti i pedagogëve nuk u dha shije të mirë, as atyre dhe as ne prindërve”, thotë për Gazetën “Si” nëna e Sindit dhe Shilës, dy studente që kanë zgjedhur të studiojnë në Universitetin e Tiranës.

“Nuk e di sa do të zgjasë kjo gjendje. Por orët e munguara të leksioneve, do t’i mbajnë në kurriz studentët, vajzat e mia, sepse e di që do të duhet të mësojnë nga 6-10 kapituj menjëherë dhe më pas të japin dhe provim për to. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe studenti mbetet viktima”, thotë ajo.

Universiteti i Tiranës nuk është përfshirë i gjithi në bojkot, por edhe në ato fakultete ku u zhvillua mësim, greva e pedagogëve ishte kryefjala e bisedave në auditore.

Mendimi i përgjithshëm është, se nëse ky bojkot vazhdon akoma, cili do të jetë motivi që do t’i çojë të rinjtë në auditore?

I pyetur nga gazeta “SI”, dekani i fakultetit Ekonomik Dhori Kule thotë se pedagogët janë të lirë të marrin ose jo pjesë në grevën e përgjithshme që po vazhdon nga trupa akademike.

“Ne nisëm dje normalisht mësimin në auditore. Por nëse ka pedagogë që duan të marrin pjesë në bojkot, le të vazhdojnë. E përgjithshmja është që mësimi ka nisur normalisht”, thotë Kule.

Edhe në fakultetin e Histori-Filologjisë, viti i parë akademik 2022-2023 ka nisur me grevë, ndërsa të rinjtë studentë pothuajse nuk janë paraqitur fare në mëngjes.

“Ne kemi ndjekur në media zhvillimet e grevës dhe na ka ardhur njoftimi se për 2 orë nuk do të ketë mësim. Kemi mbetur në kafe sepse kemi frikë se ndoshta rifillojmë mësimin dhe na merret mungesa”, thotë një studente e Gazetarisë, në vitin e dytë.

Edhe te Fakulteti i Shkencave Sociale ka pasur kaos.

“Ne jemi në punë dhe kjo grevë na ka prishur të gjithë oraret e programin tonë. Jemi njohur që më parë me orarin e tani duhet të prishim të gjithë kalendarin tonë për këtë grevë. Ndjehem shumë e zhgënjyer, do doja të ndiqja masterin në sistemin privat, por nuk kisha mundësi financiare”, thotë një studente në këtë fakultet.

Nga fakultetet të thonë se për orët e lëna pa realizuara si pasojë e grevës së pedagogëve do të ketë kalendar për zëvendësimin e tyre.

Por studentët thonë për “Si” se ky kalendar do ti rëndojë edhe më shumë.

“Në fund, ata që do ta pësojnë nga kjo situatë jemi ne”, thonë të rinjtë.
Këtë vit akademik, leksionet dhe seminaret do të jenë me frekuentim deri në masën 75 përqind, ndaj studentët druhen se orët e lëna pa realizuar do të jenë një tjetër barrë që do të bjerë mbi ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë