Drejtësia

Dyshohet si porositës i dy vrasjeve në Elbasan, SPAK tërheq nga gjykimi dosjen e Erjon Alibejt

Gazeta Si - Tetë muaj pasi GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen për Erjon Alibejn, i akuzuar si porositës i vrasjes së Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt, SPAK ka tërhequr kërkesën, duke kërkuar më shumë kohë për hetimet.

Vendimi i SPAK erdhi pas administrimit të dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, thëniet e të cilit binin në kundërshtim me ato të të penduarit të dosjes së Alibeajt, Euglen Halilajt.

Prokurori i çështjes Behar Dibra, në seancën e kësaj të marte, i kërkoi gjykatës, që të tërhiqte dosjen hetimore vetëm për Alibejn.

Sipas tij, ky i pandehur po hetohet edhe për disa vrasje të tjera, që janë të lidhura zinxhir me ekzekutimin e Ramazanit dhe Runajt.

Përveç Alibejt, për këtë çështje po gjykohen edhe Euglen Halili e Xhuliano Hoxha.

Dy ngjarjet për të cilat akuzohen, kanë ndodhur të dyja në vitin 2020 dhe po hetohen të veçuara në Elbasan.

Bazuar në deklarimet e mëparshme të të penduarit të drejtësisë, Euglen Halili, dhe provave të tjera, prokuroria besonte se porositës dhe organizatori dy krimeve, ishte Erion Alibej, pas dyshimeve se ata ishin përfshirë në vrasjen e vëllait dhe xhaxhait të tij në ngjarjen e njohur si “masakra e Bradasheshit”.

Emri i Erjon Alibej, nuk ka dalë vetëm në dëshminë e Euglent Halilit, por dhe tek dëshmia e Nuredin Dumanit, i cili tregon për një takim mes tij, Alibej dhe kunatit të këtij të fundit Arjan Spahiu.

Alibej akuzohet si porositësi i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runajt në korrik të vitit 2020 në Elbasan, me dyshimin se kanë bashkëpunuar me persona të tjerë për vrajen e vëllait të tij, Indrit Alibej.

Në lidhje me këto krime, policia arrestoi fillimisht në atë kohë Xhuljano Hoxhën dhe Eugen Halilin, si ekzekutorët e Ramazanit dhe Runajt në 20 dhe 27 korrik 2020.

Ndërsa në shtator 2020, Policia e Elbasanit deklaroi se porositës i dy vrasjeve ishte Erjon Alibej. I njohur edhe me emrin Andrea, ai u arrestua më 18 shtator me akuzën vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Erjon Alibej është vëllai i Indrit Alibejt, të ekzekutuar në Elbasan në dhjetor të 2018-ës. Seriali i ngjarjeve dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.

Regis Runaj u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të Elbasanit, mbrëmjen e 29 korrikut 2020.

Dy autorët dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike bashkë me viktimën e më pas e kanë goditur me thika. Policia e Shtetit tregoi provat që fajësojnë Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjen e Regis Runaj.

Të dy, dyshohet se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik.

Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin, ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë