Pedagogët e universiteteve kanë kërkuar që në protestën e thirrur prej tyre këtë të hënë, të marrë pjesë i gjithë stafi universitar
“Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), në vijim të nismave publike në funksion të realizimit të misionit universitar për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë publik … deklaron shpalljen e vijimit të protestës në mbarë universitetet publike të vendit, duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10.00-12.00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sindikata i është drejtuar me një kërkesë autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publike… që në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në respekt të stafeve akademike, ndihmës akademike dhe administrative, që kanë qenë pjesë e tre protestave publike në ambientet e universiteteve, të organizuara nga SPUSH, të thërrasin Asamblenë e Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme, duke ftuar në këtë organizëm/forum edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.
Sindikata tha se do të informojë në vijim për të gjitha hapat, që do të ndërmerren nga ana e organeve/autoriteteve të IAL-ve publike në lidhje me mbështetjen e tyre në aksionin e tyre të përbashkët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



