Arsim

Zhupa: Kolegji dhe kopshti turk u mbyll me urdhër. Kushi: Fëmijët janë sistemuar në shkolla të tjera

Nga Gazeta Si- Ministrja e Arsimit Evis Kushi i është përgjigjur deputetes së PD-së Ina Zhupa e cila e ka pyetur për mbylljen e kolegjit Mehmet Akif dhe kopshtit Zubeyde Hanim.

Në interpelancën e kërkuar me ministren e Arsimit Evis Kushi, deputetja Zhupa tha se kolegji turk u mbyll me një të rënë të lapsit.

“Mbyllën një shkollë dhe një kopsht në shërbim të fëmijëve shqiptarë pas urdhrave që jep kryeministri Rama me kërkesë të personave të tjerë. Lindita Nikolla dhe Rama i kanë dhënë një certifikatë nderi gjimnazit Mehmet Akif. Tani thonë nuk kanë standarde, por çfarë standardesh. Nuk kam parë një gjimnaz publik në vend me standarde të larta se këto të dyja”, tha Zhupa duke ftuar ministren e arsimit që të gjejë një kopsht apo gjimnaz që ka standard si këto që dyja që mbyllën.

“Jam e habitur se si me një të rënë të lapsit mbyllen një shkollë e kopsht”, tha Zhupa.

Kushi tha se mbyllja e tyre është një çështje ligjore dhe institucionale dhe “Gjykata i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Arsimit pas shkeljeve që janë vërejtur” e si e tillë, nuk duhet të kthehet në debat politik sipas Kushit.

Ajo tha se menjëherë pas mbylljes së kolegjit dhe kopshtit janë marrë masat për t’i regjistruar fëmijët në shkolla të tjera në bazë të vendbanimit dhe preferencave të familjeve.

“Nga 150 nxënës të Mehmet Akif janë transferuar 103 në Turgut Ozal Durrës, 51 në Turgut Ozal Tiranë dhe të tjerë në gjimnaze të tjera”, tha Kushi.

Ajo shpjegoi se Mehmet Akif ka ndryshuar vendndodhjen pa miratimin e ministries. Edhe pse i ka dërguar ministrisë dy shkresa për lejimin e ndryshimit të vendndodhjen, nuk janë miratuar pas inspektimit të ministrisë pasi ka rezultuar se në ato dy godina ka mosrespektim të standardeve të higjienës ku, sipas ministres, mungonin edhe mjetet për aktivitet fizik apo kishte mungesë ndriçimi.

“Të njëjtat shkelje janë vërejtur edhe tek kopshti Zybeyde Hanim”, tha Kushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë