Drejtësia

Tentuan të kalonin 1.2 mln € false në Rinas, prokuroria kërkon nga 9 vite burg për të akuzuarit

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me nga 9 vite burg për 3 të arrestuarit që akuzohen se futën 1.2 mln euro false në aeroportin e Rinasit.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dy kamerunasit dhe zviceriania mund të vuajnë nga 6 vite burg secili.

Më 17 shkurt, policia kufitare në Rinas arrestoi një shtetas nga Kameruni, pasi në çantën e tij të udhëtimit u gjet një shumë prej 1 milion e 75 mijë euro që dyshohet se ishin të falsifikuara.

Sipas policisë 53-vjeçari, Josou Ngankam, për të ardhur në Tiranë ka kaluar tranzit nga Parisi në Turqi me destinacion final Shqipërinë.

Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij u arrestuan disa ditë më pas. Zviceriania Jennifer Chollet jetonte prej disa vitesh në Shqipëri dhe emri i saj si bashkëpunëtore është shfaqur pas marrjes së deklarimeve të Ngankam.

Përveç bashkëpunimit në shit-blerje të pronave që kishte krijuar në Tiranë, ajo po ashtu kishte krijuar lidhje edhe me pika të këmbimit valutor.

Ajo thotë se nuk është fajtore dhe nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen e kapjes së parave false në Rinas.

I arrestuari tjetër, Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte “Toni”, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë.

Mësohet se Nkeh, që sipas burimeve nga policia ishte autor kryesor në sjelljen e parave false.

Përveç shumës së parave të falsifikuara polica gjeti edhe letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë