Nga Gazeta Si- Ditën e nesërme (e mërkurë) Sindikata e pedagogëve do të protestojë para Universitetit Politeknik në Tiranë. Kërkesa kryesore që pedagogët kanë është rritja e pagës që sipas Deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe, ajo është rritur në 2017 ndërsa sipas sindikatës, paga nuk është rritur që në vitin 2004.
“Në 2017 nuk ishte rritje pagash, nuk ishte as indeksim i plotë. Ishte një indeksim i lehtë, afërsisht 8 ose 10 për qind që ka qenë inflacion i akumuluar që në 2012 i pa indeksuar dhe kjo ‘rritje’ ishte për një pjesë shumë të vogël të punonjësve ku nuk u përfshi stafi ndihmës. Hera e fundit që është rritur paga ka qenë në 2004, një rritje 40-60 për qind”, tregon për Gazetasi.al Aleksandër Kovaçi, kryetar i sindikatës.

Ai thotë se ditën e nesërme do të ketë përfaqësues edhe nga Universitetet e rretheve ku nuk do të mungojë asnjë Universitet.
“Asnjë Universitet nuk ka bërë kundërshtim përsa i përket kërkesave tona por duke qenë se nuk munden të vijnë të gjithë, çdo universitet do të dërgojë përfaqësuesit e tyre”, thotë Kovaçi.
Kovaçi shton për Gazetasi.al se ka edhe personel që janë dakort me kërkesat e sindikatës por nuk mund të dalin në protestë për arsyet tyre.
Nëse nesër nuk ka asnjë reagim apo deklaratë nga Ministria e Arsimit apo qeveria, Kovaçi thotë se do vazhdojë bojkoti dhe “me datë 17 nuk fillon universiteti, nuk ka rrugë tjetër”.
Madje Kovaçi thotë se deklaratat tashmë janë të pavlefshme kur nuk kthehen në akte që të nënshkruhen nga sindikata ose nga përfaqësuesit e pedagogëve. “Duhen akte juridike sepse me deklarata nuk merremi më”.
Sindikata do të vazhdojë mësimin vetëm nëse firmoset një memorandum për ecurinë si në Kosovë ku u firmos që deri në janar do shpallet ligji i pagave ku do përfshihen dhe kërkesat e sindikatës.
“Duam të shkojmë në një nivel afërsisht sa Kosova në vitin 2020, jo sa tani se përsëri i ka shifrat më të larta, ashtu si edhe Maqedonia dhe Mali i Zi”, thotë Kovaçi për Gazetasi.al duke përmendur shembuj nga vendet e tjera.
Kjo nuk është hera e parë që sindikata e pedagogëve u ka dërguar një kërkesë të tillë Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë.
Kovaçi tregon se një kërkesë të ngjashme e kanë bërë edhe në 3 vitet paraardhëse por asnjëherë nuk kanë marrë asnjë reagim, aq më pak zgjidhje.
“Kemi dërguar kërkesë edhe në vitin 2019 dhe nuk ka pasur asnjë reagim. Gjithashtu kemi bërë kërkesë edhe në vitin 2020 dhe vitin 2021 në Komision Parlamentar dhe përsëri kemi qenë pa përgjigje”, thotë Kovaçi duke shtuar se bojkoti vjen pas një akumulimi historik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



