Gazeta Si – Të gjithë kundër FIA-s. Edhe Flavio Briatore nuk e ka pëlqyer mënyrën si është mbyllur Çmimi i Madh i Singaporit në Formula 1, me Federatën ndërkombëtare që vendosi të jepte një dënim të butë ndaj Perez. Piloti meksikan u dënua me 5 sekonda, pasi nuk ruajti distancën me ‘Safety Car’.
“Në FIA ka njerëz të papërshtatshëm. Në çdo garë kemi probleme, edhe në Singapor kështu ndodhi. Nëse kishte një shkelje, pse duhej pritur me orë të tëra, kur me pjesën teknike në dispozicion mund të vendosësh për një minutë?

Nuk është për faj të Formulës 1, por për faj të FIA-s, që duhet ndryshuar menjëherë. Mund të shkatërrohet një garë, spektakli dhe mund të vendoset Botërori”, – ka thënë ish-drejtuesi i njohur për ‘LaPresse’.
“FIA duhet të ketë njerëz profesionistë. Ka gati 200 punonjës dhe kompani të këtij tipi duhet të administrohen nga menaxherë të zotë në çdo sektor. Në këtë moment nuk i ka këta profesionistë, të cilët janë thelbësorë. E rëndësishme është që të jetë një federatë në lartësinë e F.1. Pse më parë nuk ndodhnin të tilla gjëra? Sepse kishte profesionistë”, – ka shtuar Briatore.
Në fund ai shprehet se Ferrari duhet të ngrejë zërin: “Ferrari duhet të ankohet, të dëgjohet më shumë. Unë dje do ta kisha thyer kompjuterin. Mund të them se ajo që ndodhi dje nuk i bën mirë këtij sporti dhe spektaklit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




