Arsim

Rama: Gjimnazistët që shkojnë jashtë për të studiuar kanë mesataren më të lartë në raport me studentët e tjerë të huaj

Nga kongresi i Nanoteknologjisë që mbajt sot për arsimin në Shqipëri, Kryeministri Edi rama deklaroi se të rinjtë që shkojnë jashtë vendit për të studiuar kanë mesataren më të lartë në raport me studentët e tjerë të huaj dhe kjo sipas tij vjen për shkak se është fuqizuar baza në gjimnaze.

“Është një e drejtë legjitime për të synuar universitetet më të mira europiane dhe është fakt që shqiptarë, vajzat dhe djemtë që mbarojnë të mesmen në Shqipëri shkëlqejnë në universitete më prestigjoze dhe kanë mesataret më të larta të studentëve të huaj. Kjo tregon se baza në arsimim është fuqizuar por na vë para përgjegjësisë që të fuqizojmë universitetin”, tha Rama.

Ai deklaroi se do të paraqesë në Pragë idenë për të ndërkombëtarizuar universitetet e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE në mënyrë që studentët në vendin tonë të pajisen me diploma të barasvlefshme me ato jashtë vendit.

“Në datë 6 të gjithë liderët e kësaj gjeografie që përfshin vendet e BE, vendet e Ballkanit do të mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një komuniteti të ri politik europian. Bashkë me kryeministrin holandez Mark Rutte kemi shkruar një editorial që botohet nesër në Politico. Si Shqipëri kemi vënë theksin te të rinjtë dhe universiteti. Që vendet jashtë BE të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë për të ndërkombëtarizuar universitetet tona”, tha Rama.

Kongresi i Nanoteknologjisë në Shqipëri. Gazeta Si, 3 tetor, 2022.

Ndërkohë Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka përmendur disa nga zhvillimet e fundit në fushën e shkencës në Shqipëri.

“Shqipëria dhe këtë vit ka siguruar pjesëmarrjen në Horizont Evropa, i cili është programi më i rëndësishëm i mbështetjes së kërkimit shkencor dhe inovacionit në Evropë”.

Kushi ka deklaruar se niveli i suksesit të projekteve shqiptare të kërkimit është rritur rreth 4 herë më shumë krahasuar me vetëm dy vite më parë ndërkohë që Universitetet Shqiptare kanë arritur të marrin nëpërmjet projekteve rreth 2.8 milionë euro nga programi Horizont Evropa.

“Që nga muaji maj 2022 për herë të parë ne kemi institucione shqiptare të cilat janë udhëheqëse në programet dhe projektet e përfshira në këtë projekt të madh të BE-së”.

Gjithashtu, Shqipëria për herë të parë është edhe pjesë e rrjetit Eureka, ku ka programe mbështetëse për të fuqizuar biznesin, nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit. Duke nxitur bashkëpunimin e biznesit me universitetet.

Por me të gjithë progresin, Kushi thotë se ka ende punë për të bërë që të reformohet edhe më shumë sistemi i kërkimit për të nxitur dhe motivuar kërkuesit të përfitojnë sa më shumë nga mundësitë që japin programet kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit.

Ndërkohë Kushi ka thënë se po punohet paralelisht me dy nisma të reja:

1.Strategjia Kombëtare për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionit 2023 -2030

Ku objektivi është të nxitet bashkëpunimi me sektorin publik dhe me atë të biznesit për një transformim të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në mjedise të hapura.

2.Ligji për Shkencën në Republikën e Shqipërisë ku MAS po punon bashkë me Akademinë e Shkencave, por dhe një grup nga institucione të ndryshme shkencore për hartimin e një ligji bashkëkohor dhe motivues për kërkimin shkencor në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë