Europa mund të vuajë një dimër më të ftohtë me më pak erë dhe shi se zakonisht, sipas agjencisë europiane të parashikimit të motit, duke shtuar sfidat për qeveritë që përpiqen të zgjidhin krizën energjetike të kontinentit.
Florence Rabier, drejtoresha e përgjithshme e Qendrës Europiane për Parashikimet e Motit me Distanca të Mesme (ECMWF), tha se indikacionet e hershme për nëntorin dhe dhjetorin parashikojnë një periudhë presioni të lartë mbi Europën Perëndimore, e cila ka të ngjarë të sjellë me vete periudha më të ftohta.
Parashikimi, i cili bazohet në të dhënat nga ECMWF dhe disa sisteme të tjera të parashikimit të motit, duke përfshirë ato në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Francë dhe Japoni, është një problem i mundshëm për politikëbërësit pasi ata përpiqen të luftojnë kostot e larta të energjisë për bizneset dhe familjet për shkak shkurtimeve në importet e gazit nga Rusia.
“Nëse e kemi këtë model, atëherë për energjinë sfida thellohet, sepse jo vetëm që është pak më ftohtë, por gjithashtu keni më pak erë për energjinë e erës dhe më pak reshje për energjinë hidrike,” tha ajo për Financial Times.
BE-ja është zotuar të heqë dorë nga gazi rus deri në vitin 2027 duke u diversifikuar në më shumë energji të rinovueshme dhe duke ndjekur marrëveshje gazi me vendet e tjera.
Eksportet e gazit nga Rusia në BE tashmë kanë rënë nga rreth dy të pestat e furnizimit total në 9 për qind që kur nisi pushtimin e saj të Ukrainës në shkurt.
Rabier tha se uraganet e fundit përtej Atlantikut mund të shkaktojnë mot më të butë, më të lagësht dhe me erë në një afat të shkurtër. Por moti më i ftohtë më vonë gjatë vitit do të ishte në përputhje me kushtet atmosferike të njohura si La Niña, një model moti që rrjedh nga ftohja e sipërfaqes së Oqeanit Paqësor, i cili nxit ndryshime në modelet e erës dhe të reshjeve në rajone të ndryshme.
La Niña zakonisht është i vështirë të parashikohet pasi kushtet diktohen nga disa faktorë të largët, duke përfshirë erërat në stratosferën tropikale dhe presionin sipërfaqësor përtej Atlantikut.
Rabier tha se Europa ishte tashmë në një gjendje të brishtë pasi përjetoi një nga verat më të nxehta në histori dhe veçanërisht kushte të thata të tokës.
Ngjarjet më ekstreme të motit të shkaktuara nga ngrohja globale si ciklonet tropikale dhe valët e të nxehtit ishin më të vështira për t’u parashikuar, tha shefi i ECMWF.
Claude Turmes, ministri i Luksemburgut për energjinë dhe planifikimin hapësinor, tha se ministrat po i bënin thirrje ENTSO-E, rrjeti i operatorëve të rrjetit të energjisë elektrike të BE-së, të paraqesë përditësimin e tij mbi rreziqet për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dimërore në tetor, një muaj më parë se zakonisht.
Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




