Gazeta Si – Në Singapor Maks Vershtapen ka shansin të konfirmohet kampion bote në Formula 1, por fundjava ka nisur me një lajm të bujshëm. Fjala është për një investigim të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) për tre skuderi, mes tyre dhe Red Bull-i, për vitin e kaluar.
Hetimi ka të bëjë me një shkelje të mundshme të rregullave të ‘Budget Cap’ nga këto tri skuadra. Por gjithë vëmendjen e merr fakti se këtu bën pjesë edhe Red Bull-i, kampion bote për pilotët me Maks Vershtapen dhe i dyti për konstruktorët, pas Mercedesit.
Ky është një argument që mund të rindezë zjarrin dhe të shtojë helmin e sezonit të kaluar. Nuk ka ende detaje për skuadrat e tjera të përfshira dhe për hetimin që mund të përfundojë me gjoba, apo dhe me heqje pikësh. Një situatë që mund të vërë në dyshim Botërorin e fundit dhe titullin e Vershtapenit.
Shkelja e mundshme e ‘Budget Cap’ në 2021-shin mund të ketë ndikim edhe në sezonin aktual, që binomi Vershtapen-Red Bull po e dominon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.