Gazeta Si - Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditin në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, për vitet 2019-2022. Sipas raportit të KLSH-së, janë gjetur disa shkelje.
Në raport thuhet se gjatë 3 viteve të fundit fëmijët jetimë janë ushqyer me kuota më pak se udhëzimi në fuqi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nga stafi i Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve. Vlerat e kuotës së ushqyerjes në vitet 2019, 2020 dhe 2021, për muajt e përzgjedhur për auditim, kanë qenë më të ulëta se kuota e miratuar. Kjo e fundit përgjegjësi drejtpërdrejt e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, dhe akoma me e ulët për shkak të mos indeksimit të çmimeve, përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas KLSH-së, niveli i kuotave financiare të shpenzimeve për ushqime nuk është i përditësuar, duke qëndruar në vlera të njëjta të kostos ditore për çdo grup-moshe të fëmijëve prej vitit 2018, ndonëse përgjatë këtyre viteve ka inflacion të madh dhe rritje çmimesh në produktet ushqimore bazë, si pasojë e situatës së Covid-19 dhe situatave globale.
“Për grup-moshën 6-12 vjeç, nga 440 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 487,35 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 47 lekë/ditë.
Për grup-moshën 13-15 vjeç, nga 480 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 531,66 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 52 lekë/ditë.
Për grup-moshën 16-18 vjeç, nga 500 lekë/ditë në vitin 2018, në fund të vitit 2021 duhej të bëhej në 553,81 lekë/ditë, pra do të ishte rritur me 54 lekë në ditë”, - thuhet në raport-auditin e KLSH-së.
Sipas raportit, mospërditësimi i ndryshimeve mesatare vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror, ka ndikuar drejtpërdrejtë në llogaritjen e fondit limit, vlerë që nuk jep garanci të jetë përllogaritur saktë dhe në përputhje me nevojat ditore fëmijëve për ushqim, duke shpenzuar më pak lekë të vlerës ditore për secilin grup-moshe për fëmijë.
Nga auditimi rezultoi se Shtëpia e Fëmijëve Shkollorë Tiranë nuk plotëson standardet e jetesës për fëmijët jetimë. Ndonëse është kërkuar fond nga ky institucion për investime, deri më tani atyre u është refuzuar kërkesa.
“Mos miratimi i fondeve për investime në qendrën rezidenciale për ndërtimin e shkallëve të emergjencës mund të çojë në rrezikimin e jetës së fëmijëve në rastet e rënies së zjarrit, ndërsa mospërmirësimi i mobilimit në apartamentet e fëmijëve ndikon në uljen e cilësisë së kushteve të jetesës për fëmijët resident”, - thotë raporti i KLSH-së.
KLSH kërkon që “Shtëpia e Fëmijëve Shkollorë”, në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, përpara miratimit të buxhetit vjetor për çeljen e fondeve buxhetore, të vlerësojë rëndësinë dhe prioritetin e kërkesës për investime në funksion të shëndetit, sigurisë dhe mirëqenien e fëmijëve rezident në institucion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.