Dosje

Përgjimet/ ‘Më jep 100 mijë lekë se i ndajmë me kolegët’. Si merrte para nga pacientët mjeku i Traumës

Gazeta Si - Dyshimet se mjeku Fitim Marku u kërkonte para pacientëve që kryenin skanerin pranë Spitalit të Traumës ishin shtuar kohët e fundit.

Sinjalizimet nga ana e qytetarëve të ndryshëm, u verifikuan javën e shkuar nga një agjent i infiltruar i policisë, i cili regjistroi bisedën mes tij dhe reumatologut.

Sipas pjesës së parë të dosjes së Prokurorisë që ka mundur të sigurojë Gazetasi.al, mësohet se Marku i arrestuar për korrupsion, vendoste çmim për shërbimin që i ofronte pacientëve, që në fakt duhet të jetë falas.

Në bisedën e përgjuar më 23 shtator në orën 14:20, del se Marku i kërkon 10 mijë lekë një pacienti.

“Kur të mbarosh skanerin, më merr në telefon, më prit aty". Gjithashtu, biseda zbulon se në skemën e korrupsionit janë edhe të tjerë, pasi ai thotë se paratë i ndan me kolegët.

Pasi i jep paratë, mjeku e udhëzon që të presë jashtë, sepse do bëjë gati diskun me rezultatet e skanerit.

Në dosje, sipas transkriptimit të bisedave të zbardhura, agjenti i policisë, identifikohet me emrin Ardian (emri jo i vërtetë i përdorur gjatë infiltrimit).

Fillimisht, “Ardiani”, bisedon me infermieren, që në dosjen e prokurorisë identifikohet me inicialin “I”.

Pasi e pyet për informacione të përgjithshme, “I” e udhëzon që “pacienti” të bëjë skanerin, pasi ai kishte pasur probleme pas një operacioni.

Në dosjen e zbardhur të prokurorisë, mjeku Fitim Marku, identifikohet me “B”.

Ai e paralajmëron “pacientin” pas kryerjes së skanerit: “Kur të mbarosh, do të flasim bashkë, mirë”. Ndërsa agjenti e pyet: “Vetëm me ty?”.

“Po, do flasim pastaj, më merr në telefon kur të mbarosh dhe më prit aty”, - është përgjigja e Markut.

Më pas vjen infermierja dhe e çon “pacientin” në dhomën e skanerit, ku i jep udhëzime si duhet të pozicionohet.

Pas skanerit, infermierja i thotë që ta presë doktorin jashtë në korridor. Pas takimit, të dy flasin për shumën që duhet të paguajë dhe kërkesën e doktorit.

Pjesë nga përgjimet

Agjenti - Më tha ajo që të prisja këtu në korridor .

Mjeku - Ok më thuaj, si e ke mundësinë tani?

Agjenti - Më thuaj or burrë, më thuaj.

Mjeku - Po ja se këtu është plot me njerëz.

Agjenti - Po sa?

Mjeku - Po ja, njëqindëshe.

Agjenti - 100 mijë lekë?

Mjeku - Po.

Agjenti - Ok.

Mjeku - Se këto i ndajmë me të tjerat.

Agjenti - Ato janë punën tuaja. Për sa e marr diskun? Sa vonon?

Mjeku - Ja sa ta bëj gati, ta sjell unë jashtë.

Agjenti - Ok.

Një skemë që u zbulua nga policia, e cila e arrestoi në ambientet e punës mjekun reumatolog, i cili është shtruar në spital pasi pësoi një ishemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë