Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Veliaj shkruan se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm. “Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, thekson Veliaj.
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Teksa i shpreh ngushëllimet familjarëve për këtë humbje të madhe, Basha shkruan se Shijaku i ka lënë trashëgimi kulturës një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo. “Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit dhe artistit të madh Sali Shijaku. Ai i la trashëgim kulturës tonë një arkivë të pashoqe ngjyrash dhe jete në telajo. Ikja e tij nga kjo jetë lë pas një zbrazëti për familjen, miqtë dhe admiruesit e artit të tij elegant. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin e artistëve për këtë humbje të madhe”, shkruan Basha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se Shijaku do të mbetet i paharrueshëm ndërsa me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, duke lënë pas një trashëgimi artistike. “Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.