Nga Gazeta ‘SI’ – Për tetë mujorin janar-gusht 2022, në Shqipëri janë regjistruar 41.220 mjete të reja, nga të cilat 34.019 ishin autovetura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, sivjet janë 12% më pak regjistrime të reja.
Numri më i madh i tyre erdhi gjatë tremujorit qershor, korrik, gusht, mbi 17 mijë. Sipas origjinës së tyre, mjetet e regjistruar gjatë tetëmujorit kanë ardhur nga 71 shtete të ndryshme, kryesuar nga Italia dhe Gjermania.

Për të dytin vit radhazi, Volkswagen është marka më e preferuar për shqiptarët, ku mbi 8.000 mjete të blera në këtë periudhë I përkasin kësaj firme. Në vend të dytë, janë mjetet e Mercedez Benz, mbi 5.000 të tilla, që deri para 2021-shit ishte marka më e përdorur. Gjithsesi, në totalin e mjeteve aktive në Shqipëri, pjesa më e madhe janë Benz, rreth 135 mijë të tilla.
Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë pasur numrin më të madh të makinave të reja, me 15.926, 6.665 dhe 4.235 regjistrime, respektivisht.
Mjetet që furnizohen me lëndë djegëse vazhdojnë të përdoren masivisht. 28.070 e atyre që u regjistruan në janar-gusht 2022, përdorin naftën, 9.310 benzinën, 455 elektrike dhe 390 hibride, benzinë/naftë+elektrike. 2.222 mjete përdorin benzinë dhe gaz.

Në Shqipëri, njësoj si në totalin e mjeteve që qarkullojnë, edhe në regjistrimet e reja kryesojnë makinat e vjetra, ato të prodhuara para vitit 2009. 53% e mjeteve që u regjistruan në periudhën janar-gusht 2022, janë prodhuar nga viti 2005-2009. 41.4% në vitin 2010 ose pas dhe 5.5% para 2005-ës. Në totalin e mjeteve aktive, 740.669, më shumë se 400 mijë janë të prodhuara deri në 2009-n.
Ligji i miratuar në tetor të 2018-s nga Këshilli i Ministrave në Shqipëri, ndalon importin dhe regjistrimin e mjeteve të prodhuara më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Më vonë DPSHTRR vendosi që të vendosej limit për importet, vitprodhimi i 2007-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




