Treg

Tregti e jashtme në rënie gjatë gushtit, rritet deficiti tregtar

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregtia e jashtme në vend, eksport-import, gjatë gushtit 2022, ka pësuar rënie nga muaji korrik, sipas vlerës së tyre, por rritje nga gushti i 2021-shit. Në gusht eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me 10.8% nga muaji paraardhës dhe duke u rritur me 48%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Efektin kryesor në rritjen vjetore e dha nafta dhe materialet e ndërtimit e metalet.

Për 8 mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u rritur me 41%, të ndikuara nga ndërtimi, metale, minerale, lëndë djegëse, energji dhe tekstile dhe këpucë.

Në muajin gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me gusht 2021 janë: Itali 29%, Spanja 411.2% dhe Gjermani 43%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova 9.2%, Maqedonia 5.9% dhe Kina 86.8%.

Importet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u ulur me 2.6 %, në krahasim me korrik 2022 dhe duke u rritur me 30.8 %, në krahasim me një vit më parë, ndikuar nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike.

Si tetëmujor, importet janë rritur me 24,8 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2021, ndikuar po nga të njëjtët elementë.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 44 mld lekë, duke u rritur me 19.6 %, krahasuar me gusht 2021 dhe me 5.2 %, në krahasim me korrik 2022.

Në muajin gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me gusht 2021 janë: Turqia 30%, Greqia 133.2 % dhe Kina 46.3 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia 7%, Gjermania 19,4 % dhe Austria 8,2 %.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 53.3 %, të gjithë tregtisë. Në gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 66.9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 47.3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia 18.7 %, Greqia 9.5 %, Turqia 8.9 % dhe Kina 6.2%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë