Gazeta Si – Ndryshimet që paralajmëroi presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, po fillojnë të konkretizohen. Ish-piloti nga Dubai ka një vizion ndryshe për Formulën 1, në krahasim me paraardhësin e tij Zhan Todt.
Edhe pse nuk kanë munguar kritikat e zakonshme drejt federatës, ndryshimet në organigramën drejtuese të saj kanë filluar. Emiri ka vendosur t’u delegojë detyra të rëndësishme njerëzve të besuar. Një prej tyre është administratorja e deleguar e F.1, Natali Robin.

Ajo është personi i parë që merr detyrën e Ceo-s në historinë e FIA-s. Menaxherja amerikane ka një cv shumë të pasur, me më shumë se 15 vjet eksperiencë në pozicione drejtuese të industrisë automobilistike.
Robin ka qenë drejtuese fillimisht te ‘Daimler Chrysler’, më pas te ‘Nissan’, ndërsa kohët e fundit ka qenë administratore e deleguar në selinë e Zvicrës për ‘Volvo’.
Robin do të jetë përgjegjëse e zgjedhjeve të reja operative dhe financiare të FIA-s, por edhe të reformave që pretendon Ben Sulajem, me fokusin te plani i rritjes komerciale. I gjithë qëllimi është që të rriten të ardhurat e FIA-s.
“Jam shumë e lumtur, – shpjegon menaxherja amerikane, – që jam personi i parë i zgjedhur për detyrën e Ceo-s së FIA-s, sidomos në një moment kaq të rëndësishëm. Mezi pres të nis punën me vendet pjesëmarrëse dhe skuadrën e presidentit”.
“Zgjedhja e Natali Robin, – thotë Ben Sulajem, – si administratore e deleguar përbën një fazë ndryshimi për FIA-n. Eksperienca e saj e madhe do të jetë thelbësore për financat tona. Natali ka treguar se di të kryejë detyra rritjeje dhe zhvillimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




