Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gent Strazimiri në një deklaratë për shtyp nga selia blu, deklaroi mesditën e së shtunës se kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako duhej të arrestohej ditën e enjte, por dikush e ka bllokuar policinë.Sipas Strazimirit për Dakon ka qindra faqe përgjimesh nga bisedat me bandat e Durrësit, me të cilat bën pazar për blerjen e votave, në këmbim të favoreve, lejeve, punësimeve, tenderëve dhe pasurive publike të Durrësit.
Sipas opozitës përgjimet e bëra publike janë vetëm fillimi. “Ato nuk janë as 1 përqind e aktivitetit kriminal të Vangjush Dakos, por përgjimet faktojnë se një ditë para zgjedhjeve, më 24 qershor, bandat e shtabit elektoral të Ramë kanë blerë vota për tepsinë e Edi Ramës.”, ka deklaruar Strazimiri, ndërsa ka shtuar se përgjigjet faktojnë se se dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor, Vangjush Dako ka komunikuar përsëri me bandën e Avdylajve “që u bleu votat, duke kërkuar takim me shefin e bandës për ta falënderuar dhe për të vazhduar pazaret në tepsinë e Edi Ramës.”
“Vangjush Dako pranon publikisht se në cilësinë e “superman-it” që njeh çdo qytetar të Durrësit, me adresë dhe numër familjarësh, madje më mirë dhe më shpejt se sistemi elektronik i gjendjes civile, ka komunikuar me përfaqësuesit e “familjeve të mëdha e të fuqishme”, me vetëdije të plotë që fuqia në Durrës është në duart e familjeve mafioze.Vangjush Dako, vë në dukje Strazimit, e pranoi publikisht se për shkak të kontakteve me ta, ka arritur “rezultat historik si drejtues politik i Partisë Socialiste” në Durrës.
“Në një shtet normal, Vangjush Dako duhej të ishte arrestuar “live”, në studio por jo!Pavarësisht këtyre fakteve, Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje Vangjush Dakon.Kamikazët e Edi Ramës në Prokurori nuk thonë: Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit; kush e bllokoi të enjten arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit?”
Strazimiri e ka mbyllur deklaratën e tij duke thënë se Dako duhet të ishte në burg, si Arben Ndoka dhe Arben Çuko, të arrestuar të dielën e shkuar, pasi janë pjesë e së njëjtës dosje që mban numrin 339, në Prokurori. “As kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu “xhuxhin” e bandave në Bashkinë e Durrësit”, ka përfunduar ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.