Arsim

Pedagogët paralajmërojnë tjetër protestë: Nëse nuk na plotësohen kërkesat, do të bojkotojmë vitin e ri akademik

Gazeta Si- Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë protestoi sot para Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Pedagogët, punonjësit e Universiteteve dhe studentët kanë bërë një peticion prej muajit gusht për disa kërkesa që ato i quajnë si minimaliste dhe aspak të ekzagjeruara.

Kërkesat e sindikatës së punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë janë:

-Rritja e pagave të pedagogëve dhe stafit ndihmës.

-Kërkojnë që në tetor të këtij viti paga e tyre të rritet me 30% ndërsa në tetor të vitit 2023 të rritet me 20%

-Rritja e financimeve për kërkime shkencore

-Laburantët të paguhen për rrezikshmërinë që hasin në punë

-Pagesa e vjetërsisë në punë

-Pagesë për orët e shtesë

-Bërja publike e buxhetit të universiteteve dhe si menaxhohen paratë.

Kryetari i Sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë Sander Kovaçi tha se kërkesat e tyre janë minimaliste, ndërsa shtoi se rritja e pagave të tyre të bëhet me 30%, për të vijuar me rritje 20% vitin e ardhshëm që është një nga kërkesat kryesore.

Ndërkohë Qazim Lataj, ndihmës akademik tha se nëse nuk u plotësohen këto kërkesa deri më datë 5 tetor, ato do të vazhdojnë me një tjetër protestë tek Politekniku dhe më pas do të bojkotojnë vitin e ri akademik.

“Ne kemi mbështetjen e studentëve dhe gjithë pedagogëve për të vijuar me masa të tilla në rast se nuk na plotësohen kërkesat”, ka thënë Lataj duke shtuar se është e padrejtë që pedagogët nuk kanë një rritje rroge që prej vitit 2005 dhe përveç se e padrejtë, është edhe e papranueshme.

“Po largohen studentët jashtë vendit por po largohen edhe pedagogët në Universitetet shtetërore dhe po shkojnë në Universitetet private pasi atje kanë një pagë të kënaqshme”, tha Lataj.

Ai gjithashtu shtoi se edhe kushtet e punës dhe siguria janë një problem i madh që kërkojnë patjetër një zgjidhje.

“Nëse nuk na zgjidhen kërkesat tona, më datë 5 tetor, në orën 11.00 do të jemi në shesh për të protestuar përsëri”, tha ai.

Ato thonë se nuk ka më vend që të negociojnë me qeverinë, pasi kanë pritur prej vitesh dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“U dërgua një peticion dhe nuk kthyet përgjigje, nuk shohim asnjë reagim që të ndihmojë këtë shtresë. Nëse merr dinjitetin profesorati rritet edhe cilësia e arsimit”, tha Lataj.

Gjithashtu në protestë foli edhe një student I cili tha se po flet në emër të të gjithë studentëve të cilët janë në mbështetje të stafit akademik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë