Gazeta Si – Marka e njohur gjermane e grupit Volkswagen, Audi, synon të rritë me shpejtësi numrin e punonjësve. Projekti është për të blerë Sauberin, me Kristiano Da Matan mes kandidatëve për të drejtuar atë.
Audi vendosi të futet në botën e Formula 1 në 2026-ën, kur hyn në fuqi rregullorja e re për ‘power unit’ (hiqet Mgu-H). Drejtuesit e kësaj marke të njohur i kanë idetë të qarta dhe kanë filluar të bëjnë një sërë investimesh që tani.

Selia e Neuburg, pranë Ingolstadt, do të zgjerohet këto muaj me ndërtesa të tjera, që do të plotësojnë një strukturë tashmë të përparuar. Në këtë seli vitet e fundit janë kolauduar motorët dhe bateritë për Formula E.
Mjetet për të provuar pjesë të veçanta të motorit të ardhshëm janë gati dhe tani kompania gjermane mund të operojë lirshëm në merkaton e teknikëve për të rritur një repart, që aktualisht numëron 120 punonjës.
Pastaj mbetet edhe hapi më i rëndësishëm, bashkëpunimi me një skuadër të Formula 1. Audi e ka bërë të qartë prej kohësh se nuk është interesuar thjesht për të qenë furnizues i ‘power unit’, por kërkon të jetë protagonist. Dhe në shënjestër është Sauber. Bisedimet po kryhen dhe kur të ketë një akord, me shumë mundësi do të ndryshojë i gjithë kuadri drejtues.

Për momentin nuk ka një drejtues të zgjedhur, por indiciet të çojnë te Kristiano Da Mata. Ish-piloti brazilian, 48 vjeç, ka qenë drejtuesi kryesor i skuadërs në Formula E.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




