Nga Gazeta ‘Si’-Lajmi i trishtë për konsumatorët e ka burimin nga shitësit e vegjël në Tiranë..
“Grosistët po na thonë që nga data 15 shtator do të ketë një rritje të mëtejshme të çmimeve, kryesisht për bulmetin, vezët, zarzavatet por edhe për disa produkte specifike si orizi etj”, tha njëri prej tyre i cili shet në një minimarket në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Kjo valë e re çmimesh po diktohet nga kërkesa e shtuar në treg nga turistët që ende vizitojnë Shqipërinë.
“Gjatë këtyre tre muajve ka patur kërkesë shumë më të fortë për artikujt kryesorë të shportës gjë që çoi edhe në mungesa të herëpashershme në treg.
Zarzavatet patën rritje që në muajin gusht dhe do të kenë sërish pasi për shkak të kostove shumë të larta të pesticideve, fermerët kanë patur më pak prodhim. Shumë shpesh jemi detyruar të kontaktojmë me furnitorë të ndryshëm duke qenë se ata që na furnizonin nuk e mbulonin dot sasinë që ne dëshironim”, thotë tregtari.

Rritje të çmimit do të ketë edhe ushqimi i mëngjesit në dorë, kruasanit të ambalazhuar, të cilët në muajin maj u rritën nga 50 lekë në 70 lekë, tani do të shiten 90 lekë.
“Shtrenjtimi i margarinës,por edhe i energjisë elektrike po transferohen në këtë rritje çmimesh. Qytetarëve u ka bërë shumë përshtypje kjo rritje e çmimit të moltove. Shumica e tyre që përgjithësisht i blinin për t’i konsumuar në mëngjes, po e ulin konsumin gradualisht”, mbyll fjalinë ai për Gazetasi.al.
Orizi, në nivelet më të larta historike
Thatësira e madhe në Kinë e bëri të vetën. Problemet me prodhimin janë të shumta. Tregjet e importit po reagojnë çdo ditë me rritje çmimesh.
Orizi për momentin është në nivelet më të larta historike dhe rritja do të vijojë.

“Kjo rritje do të ndihet më shumë sidomos tani në vjeshtë pasi korrjet e reja kanë rezultuar me çmime të larta nga rritja e lëndëve të para.
Shumë vende kanë pësuar goditje të shumta edhe si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore. Jo vetëm për orizin por edhe për thjerrezat, fasulet etj do të ketë rritje çmimesh”, thotë Eleni Babameto drejtuese nga kompania “Teuta”.
Aktualisht në pikat e pakicës një kilogram oriz kushton 190-200 lekë nga 150 që ishte vitin e kaluar.
‘Rritja e çmimeve të bulmetit do të vijojë deri në mungesë të produkteve’
Megjithatë, ashtu siç Gazetasi.al ka paralajmëruar që në muajt e verës, rritja për produktet e bulmetit vijon të mbetet më shqetësuesja dhe duket se nuk do të ndalojë.
Shtrenjtimi i plastikës,i energjisë e gazit, rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme, rënia e krerëve të bagëtive dhe largimi i fermerëve të vegjël sa vijnë dhe po e rëndojnë më shumë situatën.
Fabiol Morava, administrator i fabrikës së përpunimit të qumështit thotë se kjo rritje do të vijojë derisa të ketë mungesë totale të produktit në treg. Realitet, i cili sipas operatorëve të tregut nuk duket se do të jetë shumë larg.
Në treg që tani ka mungesë për djathë. Sasitë e pakta të qumështit që po prodhohen nuk po ia dalin dot të rezervojnë sasitë e nevojshme për të bërë djathë.

Kosi i cili është shtrenjtuar me 27% do të rritet sërish me rreth 15%.
Aktualisht, nga 220 lekë/litër kosi me ambalazhim në vazo qelqi që kushtonte në muajin korrik, ka arritur në 280 lekë.
Edhe sipas INSTAT, që nga muaji mars, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë” ka filluar rritjen e shpejtë nga 10.3% në mars duke kulmuar në 22.3% në gusht, niveli më i lartë që nga viti 2007.

Prindërit kanë shpenzuar dyfish edhe për furnizimet shkollore këtë vit.
Edhe nëpër kancelari ka patur një rritje shtesë deri në 20% të produkteve duke e bërë rikthimin në shkollë gjithnjë e më të shtrenjtë. Rritja më e madhe e çmimeve është te fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletoreje të vogël para pandemisë ishte 29 lekë, tani për të njëjtën fletore paguani 40 lekë.
Për muajin gusht inflacioni arriti në nivelin 8%, më i lartë në më shumë se 20 vite i udhëhequr po nga ushqimet.
Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit më parë, inflacioni ishte vetëm 2.4%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




