Nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Jusuf Hoti”, Katund i Ri, Durrës janë ndarë në dy shkolla të tjera, në dy fshatra të ndryshëm.
Fëmijët nga klasa e parë në të katërt të fshatit Katund i Ri dhe Qerret do të duhet të mësojnë në Qerret, kurse nga klasa e 6-të deri 12-të do të bëjnë mësim pasdite në shkollën 9-vjeçare, Sukth Katund..
Drejtori i shkollës ”Jusuf Hoti” thotë se ky është viti i dytë që mësimi zhvillohet në kushte të tilla për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.
“Vështirësia qëndron në menaxhimin e mësimdhënies, ne nisim që në mëngjes shpërndarjen e nxënësve në Qerret e Sukth Katund, të shoqëruar me mësuesit e klasave”, thotë drejtori Petrit Elezi


Mungojnë nxënësit, mësimi nis me klasa kolektive
Këtë vit shkollor, në disa shkolla në zonat rurale të qarkut Durrës si Jubë, Qerret dhe Bishtkamëz mësimi ka nisur në klasa kolektive.
Shkak është bërë emigrimi dhe lëvizjet demografike që vijojnë akoma në këto zona duke rudhur çdo vit numrin e nxënësve.
“Shkolla jonë ka afro 300 nxënës, nga klasa e parë deri në Maturë por në vitin 2016 kjo shkollë numëronte mbi 560 fëmijë e gjimnazistë. Afro 200 prej tyre janë larguar”, thotë Petrit Elezi, drejtori i shkollës së mesme të bashkuar “Jusuf Hoti”, Katund i Ri Durrës.
3 vite pa godina, gjimnazet e Durrësit mësim pasdite
Gjimnazistët e dy gjimnazeve të mëdha në qytetin e Durrësit “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri” dhe gjimnazet “Dhisi Liperi” Sukth dhe disa gjimnaze në zonat rurale Sukth dhe Manzë do të zhvillojnë mësim pasdite dhe jo në shkollat e tyre.
Të dëmtuar prej tërmetit të 24 nëntorit 2019, akoma nuk ka nisur puna për ndërtimin e godinave të cilat u shkatërruan plotësisht.
Gjimnazistët e “Gjergj Kastriotit” do ta zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, kurse gjimnazistët e “Naim Frashërit” në shkollën 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”.
Problem mbetet mësimi në zonat rurale, ku nxënësit e zonës së Sukthit që do të ndjekin gjimnazin, do të duhet të bëjnë çdo ditë pasdite me autobus një distancë prej 8 kilometra, për të ndjekur mësimin në shkollën e Manzës, ku ndodhet godina e caktuar për ta.
Megjithë transportin e siguruar nga drejtoria arsimore, largësia e ka rudhur numrin e nxënësve të rinj që dëshirojnë të ndjekin gjimnazin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



