Gazeta Si – Anija lëvizëse, e cila do të prodhojë energji është futur mëngjesin e kësaj të premteje në ujërat e gjirit të Vlorës, por kjo ka sjellë protestë nga qytetarët.
Ajo do të qëndrojnë për rreth një orë në spirancë përballë përpara hyrjes së terminalit Vlora-1 (PIA), ku do të shkarkojë dy anijet gjenerator pasi i ka të ngarkuara sipër saj.
Ndërkohë qytetarë vlonjatë u mblodhën para terminalit të portit për të protestuar, pasi anija ka një megatec, i cili do të prodhojë energji me naftë.
Sipas tyre kjo do të dëmtojë biodiversitetin dhe turizmin në këtë qytet bregdetar, i cili do të kthehet në zonë industriale.
Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë sot paradite kundër këtij vendimi.
“Çështja është shumë serioze, por mungesa e informacionit dhe bllokazhi që ka bërë qeveria, ka ndikuar”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferruni në një prononcim për median.
“Kjo anije që po vjen, ka të inkorporuar 2 platforma që do të instalohen tek Triporti tek porti i peshkatarëve, që në vetvete është e papranueshme, – vazhdon Ferrunaj. – Do të jenë dy platforma supergjigande, supergjeneratorë që do të djegin 600 tonë naftë të rëndë në ditë. Kjo është katastrofë për atë që kupton çdo të thotë djegia e naftës”.
Ai bën një krahasim të thjeshtë, sikur sot në Vlorë, 100 mijë makina të bëjnë 100 km brenda qytetit dhe brenda ditës.
“Kjo sasi nafte që do të digjet 600 tonë është e barabaratë sikur në Vlorë sot 100 mijë makina të bëjnë 100 km brenda Vlorës, brenda ditës. Kjo është katastrofa që pritet të ndodhë me këto dy anije. Po kjo është vetëm fillimi”, – shtoi Ferrunaj.
Ambientalisti theksoi se “nuk mund të bashkëjetojë një turizëm me një super gjenerues të emetimeve të rrezikshme të naftës së rëndë që digjet. Nuk është një gjenerator, impiant I vogël, është gjigand, është përbindshëm”.
Dy anijet e marra me qira, pritet që të përmbushin 15% të kërkesës së vendit për energji. Marrëveshja për anijet është nënshkruar me mbështetje të SHBA-së me një afat 2-vjeçar.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama bëri me dije se familjet të cilat do shpenzojnë mbi 800 KWh do ta paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë pa TVSH.
Ndërsa familjet që nuk e kalojnë fashën 800, çmimi nuk ndryshon dhe do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë.
Çmimi 42 lekë për kilovat do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa në janar të 2023-shit pritet të caktohet një çmim i ri për fashën mbi 800 kilovat/orë në varësi të luhatjeve në bursë. Çmimi i ri nuk prek bizneset.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




