Motosport

Ferrari nën akuzë pas gafës në Zandvort. Rosberg: Duhen drejtues të rinj!

Gazeta Si – Shkoi keq fundjava në Holandë për Ferrarin, edhe pse Leklerk zurin vendin e tretë. Gafa me pit stop-in e Sainz, ku mungonte një gomë, ishte e pafalshme. Tashmë po shtohen ata që gjykojnë se te Ferrari duhet ndryshuar diçka.

Pikant është komenti i Niko Rosberg, ish-kampion bote. Ai e krahason strategjinë e Ferrarit me atë të një skuadre të Formula 2 apo Formula 3. Rosberg flet për paaftësi të kabinës aktuale të drejtimit te skuderia italiane. Ish-piloti e drejton gishtin te Matia Binoto.

Niko Rosberg dhe Matia Binoto. Gazeta Si, 5 shtator 2022

“Nuk është e mundur të mos gjesh goma në bokse! Binoto mohon faktin që duhen ndryshime dhe thotë se çdo gjë po shkon mirë. Po kur vjen dita e garës? Nuk mund të vazhdohet kështu.

Disa skuadra të Formula 2 apo Formula 3 bëjnë një punë më të mirë se Ferrari sa u takon pit stop-eve dhe strategjisë. Si është e mundur, në kushte gare normale, të thërrasësh një makinë në bokse dhe të mos kesh gati të gjitha gomat? Herët a vonë duhet të vendosin të ndryshojnë.

Binoto thotë shpesh se është një teknik. Ndoshta është më mirë që në drejtim të jenë një teknik dhe një menaxher. E kemi parë në Spa dhe tani në Holandë. Ferrari po mbetet prapa me ritmin e garës. Duhet ta zhvillojë makinën në drejtimin e duhur”, – ka thënë Rosberg mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë