Ngjarje

Gledis Nano për median franceze: Janë arratisur 14 kriminelë sepse operacionet tona dekonspiroheshin

Përpara se Gledis Nano të shkarkohej nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit, në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, ka thënë se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar për operacionin.

“Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano në dokumentar duke shtuar se nuk dihej nga cilët persona vinte ky dekonspirim.

Megjithatë, në dokumentarin ku ai përshkruhet si “i hekurt”, shprehet se ka goditur fort mafian shqiptare.

“Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …..Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”.

Më tej Gledis Nano thotë se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të shkarkojë nga puna shumë kolegë.

“Ka një reformë të drejtësisë që po vazhdon në këto momente. Prokurorë dhe gjykatës janë shkarkuar dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë me policët tanë. Kjo gjë do pak kohë. Për këtë arsye me është dashur të sanksionojë shumë kolegë te mi në pozicione shumë të larta në detyrë. U shkarkuan. Kjo gjë sepse nëqoftëse një ditë do duam të integrohemi ne BE, duhet të përmbysim disa rregulla. Një nga këto është lufta kundër korrupsionit”.

Gledis Nano u shkarkua nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit më 31 gusht. Lajmin e zyrtarizoi ministri i Brendshëm Blendi Çuçi gjatë mbledhjes së qeverisë.

“Të bëhen pjesë e Europës është qëllimi i tyre parësor. Shqiptarët janë të bindur që kjo gjë do u përmirësojë imazhin dhe do rrisë interesin e turistëve të huaj”, citon reportazhi

I titulluar “Shqipëria: ish-diktatura staliniste është bërë perla e re e Adriatikut”, ai përshkruan ndryshimin rrënjësor të Shqipërisë në tre dekada.

“Shqipëria është kthyer në mënyrë të padiskutueshme në një atraksion të volitshëm turistik për gjithë turistët europianë, me shifra ndjeshëm në rritje vit pas viti e me mbulim mediatik përtej të imagjinueshmes, deri një dekadë më pare”, thuhet në të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë