Drejtësia

I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-drejtori i RTSh-së Thoma Gëllçi

Gazeta Si – Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi, është liruar nga burgu këtë të martë me vendim të GJKKO-së.

Gëllçi ishte dënuar me një vit e 4 muaj burg, por pas kërkesës së avokatit për lirimin e tij për shkak se kanë përfunduar afatet e dënimit, GJKKO pranoi  kërkesën. Tashmë çështja do të zhvillohet në Apel, ku Thoma Gëllçi kërkon pafajësi.

Ish-drejtori i RTSH Thoma Gëllçi u dënua për shpërdorim detyre në tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Gëllçi në cilësinë e drejtuesit dhe 3 zyrtarët e tjerë pjesë e Komisioneve përzgjedhëse kanë favorizuar kompaninë fituese nëpërmjet kritereve të vendosura. Mbrojtja dhe vetë Gëllçi i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar Thoma Gëllçi u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, më 8 tetor 2021.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Flora Hajredinaj firmosi më 7 tetor masën e sigurisë “arrest me burg” të Gëllçit dhe tre punonjësve të tjerë të RTSH-së.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bëri të ditur se ish-zyrtari i lartë i Televizionit Publik, i cili financohet nga buxheti i shtetit, akuzohet për shkeljet e konstatuara në procedurën e hapur të prokurimit me objekt blerje pajisjesh për kanalin RTSH Agro, me fond rreth 1 milion dollarë të zhvilluar në datën 9 nëntor 2018.

Për të njëjtën çështje në pranga kanë rënë edhe tre punonjësit e RTSH Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e gjetur me shkelje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë