Ngjarje

A janë prekur të dhënat e shqiptarëve? Hakerat publikojnë e-mailet e vetë drejtoreshës së AKSHI-t

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karcanaj thotë se nga sulmi kibernetik që nxorri për ditë me radhë jashtë funksionit shërbimet qeveritare në vend, hakerat nuk kanë mundur që të prekin asnjë dokumentacion të qytetarëve shqiptarë.

Por, një mori dosjesh të publikuara nga grupi “Homeland Justice”, pas të cilit dyshohet se qëndron Irani sugjerojnë të kundërtën.

Hakerat kanë publikuar në rrjet tre dosje, mes të cilave njëra ku pretendohet se është posta elektronike personale e drejtores së AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj në adresën ‘[email protected]’.

E parë nga Gazeta Si, dosja në fjalë përmban mesazhet të dërguara, të marra, të fshira dhe e-maile të ruajtura në draft nga ana e drejtores së AKSHI-t. Në total bëhet fjalë për më shumë se dy mijë mesazhe.

Nga përmbajtja, në pjesën dërrmuese të këtyre mesazheve, drejtorja e AKSHI-t është përfshirë si person në dijeni (CC:) dhe kanë të bëjnë me veprimtarinë e përditshme të Agjencisë dhe komunikimin me vartësit dhe institucionet e tjera.

Vërtetësia e këtyre mesazheve mbetet për t’u provuar, por rrjedhja e tyre në rrjet vë në pikëpyetje të madhe deklaratat e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe të zyrtarëve të tjerë të Qeverisë në lidhje me sigurinë e të dhënave të qytetarëve.

Sipas këtyre deklaratave, nga sulmi i fundit kibernetik që nxorri jashtë përdorimit për ditë me radhë shërbimet qeveritare, përfshirë këtu e-Albanian, nuk janë prekur të dhënat e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë