Nga Gazeta "Si"- Deri sa të mbarojë hetimi i plotë ende nuk dihet nëse rusët ishin turistë, apo spiunë, por uzina e Gramshit është e dukshme që ka mbetur një relike ushtarake.
“Më shumë i ngjanë një magazine vjeturinash dhe kanë shumë pak personel, më shumë roje malli të vjetër”, i thanë gazetës “Si” burimet e sigurta dhe të mirëinformuara.
“Në organikën e saj të paktën deri në dhjetor të viti 2020 ka pasur 50 ushtarë dhe punonjës që paguheshin. Por, momentalisht vetëm grupet e ruajtjes së objektit me 2-6 ushtarë qëndrojnë në ambientet e ish-Uzinës”, vijojnë burimet.
Uzina Mekanike Gramsh u krijua si një ndërmarrje shtetërore, në vitin 1962 për të prodhuar armë për këmbësorinë e ushtrisë shqiptare. Ajo ndodhet në fshatin Çekinë, 4 kilometra larg qytetit të Gramshit.
Uzina e ndërtua nga kinezët duke nisur prodhimin e pushkës tip “Simonov” me kalibër 7.62 mm. Në vitin vitin 1974 u mundësua prodhimi i Kallashnikovit.
“Disa inxhinierë dhe specialistë shqiptarë u trajnuan për 5 vjet rresht në Kinë përpara se të niste aktiviteti. Por, sot aty ka vetëm roje”, thonë burimet.
Në uzinë dikur ofroheshin shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë, riparime, trajtime në të nxehtë si edhe emalimin e sipërfaqeve.
Por, në Gramsh nuk është më e njëjta uzinë, edhe ministri i Mbrojtjes Peleshi tha pas ngjarjes se “në godinë nuk ka asnjë aktivitet”.
Uzina mbeti më së shumti një bazë mekanike për ushtrinë dhe nuk ka asnjë vlerë pasi dhe depot e magazinimit janë të vogla.
“Aty nuk ka asgjë, as armë dhe as lëndë plasëse për demontim”, thonë burimet të cilat saktësojnë se uzina ndodhet në krah të rrugës nuk është strategjikisht e mbrjojtur dhe mjaft e aksesueshme ndaj nuk kishte sesi të mbetej një qendër demontimi, apo magazinimi armësh”.
Vitet e fundit, në uzinën e Gramshit maksimumi mund të prodhohej bateri dhe vaj për pastrimin e armëve dhe ka mbetur një objekt i dorës së tretë për nga rëndësia ushtarake.
Ka patur një ide disa vite më parë për rivitalizmin e objektit, por kërkoheshin angazhime të mëdha financiare dhe njohur ndaj asgjë nuk ka avancuar deri më sot rreth kësaj ideje. Një propozim tjetër ka qenë për ta kthyer në një ndërmarje civile. Por as me këtë ide nuk pati hapa përpara.
Burime të tjera i thanë gazetës “Si” së jo vetëm që nuk kryhen aktivitet, por shumë pjesë të uzinës janë shitur për skrap.
Tani uzina mekanike e Gramshit është thjesht një relike që ruhet nga ushtarët.
Madje gazeta “Si” mësoi nga burime zyrtare se në këtë uzinë prej kohësh mungon edhe energjia elektrike pasi ajo është debitore ndaj aty nuk ka si të zhvillohen aktivitete bazike e jo më prodhim apo demotim armësh
Ndaj mundet që vizita e padëshiruar e 2 rusëve dhe një ukrainasi duke lënduar rojet mund të jetë më si fllusk sapuni por ndoshta vetëm një test i shërbimeve të huaja i cili duket se çaloi nga pala shqiptare, pasi edhe pse i pikasën si të dyshimtë ditë më parë dhe institucionet ishin informuar ata mundën të hynin dhe të lëndonin edhe 2 ushtarët shqiptarë, roje të ambienteve.
Në reagimin e tij të parë Presidenti i Republikës, ushtarak në karrierë i mëshoi mesazhit që duhet të parandalohen ngjarje të tilla që mund të cenojnë sigurinë publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.