Menaxhim

17 mijë MWh prodhim ditor në kaskadën e Drinit, KESH anulon blerjet e energjisë

Nga Gazeta “SI” – Situata hidrike në vend duket të jetë përmirësuar ditët e fundit, ku prodhimi ditor i energjisë ka arritur 17 mijë MWh.

Njoftimi i fundit i KESH, të hënën e 15 gushtit tregon se rezerva energjitike është rritur në 722.9 GWh dhe 17 mijë megavatorë prodhim ditor, i referohet të tre HEC-eve.

Prurjet më të larta në kaskadën e Drinit janë në HEC-in e Fierzës, me 60 m3/s, e cila u mbyll më herët gjatë vitit për të rritur rezervën hidrike, sipas ministrisë së Energjisë në Shqipëri.

HEC Koman ka shënuar prurje me 20 m3/s dhe HEC Vau i Dejës me 7m3/s. Prodhimi dhe prurjet janë dyfishuar krahasuar me një muaj më parë kur vendi jonë po përballej me temperatura shumë të larta dhe mungesë reshjesh.

Në bursën hungareze të energjisë, HUPEX, çmimi i 1 MWh energji është luhatur rreth 400 euro në fillim të javës dhe ka arritur në 500 euro mesditën e 16 gushtit.

Lidhur me lëvizjen e shpejtë të çmimeve të energjisë, një ditë më parë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, njoftoi anulimin e procedurës së blerjes së energjisë për datat 15-21 gusht, duke u mbështetur vetëm në prodhimin vendas.

Drejtuesi i bursës serbe të energjisë, SEEPEX, Milos Mladenovic, në një intervistë për mediat vendase, tha se këto çmime do të qëndrojnë njësoj deri në mbyllje të vitit, për vendet e rajonit.  

Pas Shqipërisë, që shpalli e para emergjencën energjetike në tetor të 2021-shit, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë në të njëjtën situatë, ku kjo e fundit konsideroi edhe ndërprerjet energjitike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë