Lajme

Rrëzohet dekreti i Presidentit për Teatrin, kalon për votim në Kuvend

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka rrëzuar sot dekretin e Presidentit mbi ligjin për Teatrin. Në seancën e sotme pritet që shumica ta rrëzojë dekretin për ta vulosur përfundimisht shembjen e teatrit aktual dhe ndërtimin mbi ngrehinat e tij të një godine të re.

Në mbledhjen e sotme kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, tha se çështja për dekretin e Presidentit është e njohur dhe se do të kalohet për votim në seancën plenare.

“Besoj që çështja është e ezauruar, qëndrimet janë të qarta. Jemi pro ndërtimit të një teatri të ri modern, Tirana dhe Shqipëria ka nevojë për një teatër të ri. Kemi kaluar në një rrugëtim diskutimesh të frytshme, por edhe rraskapitëse dhe të kota. Të vijojmë të mbetemi te vizioni i një godine të re”, është shprehur Shalsi.

Ndërsa, relatori Ilir Beqja u shpreh se komisioni nuk ka pse ta shqyrtojë, pasi sipas tij një gjë e tillë është bërë edhe më parë.

“Bazuar në rregullore bëmë gjykimin e parë dhe bëmë ndryshimet që i vlerësuam të nevojshme që u votuan. Kam lexuar dekretin dhe në vlerësimin tim më shumë janë lojëra fjalësh. Kemi reflektuar çfarë shprehej si shqetësim nga Komisioni Europian”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë