Ish i dërguari i Posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell fajëson Albin Kurtin për tensionet e rindezura në veri të Kosovës.
Ai thotë se ajo që po ndodh në Ballkan nuk është dora ruse dhe kushdo që mendon dhe thotë kështu po përpiqet të manipulojë publikun.
“Kjo është e gjitha e Albin Kurtit që provokon Serbinë. Ai jeton ende në të shkuarën. Njerëzit e Kosovës duan paqe dhe punësim Albin! Boll nxite dhunën”, shkruan Grenell.
Raportet e Grenell me Albin Kurtin kanë qenë gjithmonë të tensionuara, sidomos në qeverinë “Kurti 1”, kur u vendos në atë kohë taksa 100 për qind. Albin Kurti e ka akuzuar Grenell se ushtroi presion ndaj LDK-së që të largohej nga koalicioni qeverisës me të.
“Ai filloi ta shtojë trysninë ndaj partnerit tim në qeverisje deri sa ata u dorëzuan dhe u nënshtruan. Pra, ai ka pasur një rol, i cili nuk ka qenë neutral, por përkundrazi ka pasur një rol aktiv”, deklaronte Kurti në prill të 2020, pak javë pasi LDK u tërhoq nga Qeveria dhe Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




