Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu kanë njoftuar hapjen e kantierit të ri të punimeve për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “NËNË TEREZA” ku përfshihet ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të kirurgjisë.
Kryeministri Rama është shprehur se ky spital do të ketë 120 shtretër dhe 7 salla operacioni, të cilat do t’ua lehtësojnë punën bluzave të bardha dhe do të përmirësojë shërbimin.
Në fjalën e tij, kryeministri përsëriti faktin se qeveria e drejtuar prej tij do të trajtojë me përkujdesje të gjithë mjekët, ndërsa shtoi se pas përfundimit të spitaleve do të ndërtohet një parking modern. Gjithashtu njoftoi se vitin e ardhshëm do të ketë sërish rritje pagash për të gjithë trupën e mjekëve.
“Ka një shprehje që thotë: Se spitali nuk është vendi i përshtatshëm për të qenë i sëmurë”. Sado i përsosur të jetë spitali, ai nuk është vendi ideal për të qenë i sëmurë. Duke u kthyer në qendrën e QSUT-së, secili e ka përjetuar periudhën e formimit, rritjes, rrënimit, por edhe rilindjen që ka përjetuar këto vite. Situata është ende komplekse, nëse merr një rrugëtim te QSUT-së, ka kulme pozitive, por edhe negative. Kjo është e vetmja qendër spitalore në Europë, e cila ka trafik të brendshëm, s’merret vesh kush është kush. Kemi nevojën të ndajmë shërbimin nga pjesa e jashtme, që interferon përmes makinave. Pasi të kemi ecur me kantierin e ri, do të nisim edhe parkimin modern, i cili përfundimisht do ta ndajë qendrën nga makinat. Ky investim do të garantojë një hap të madh cilësor dhe patjetër dhe një shërbim shumë më efikas dhe shumë më të integruar. Një spital i ri kirurgjie me 120 shtretër dhe 7 salla operacione, janë një infrastrukturë për transferimet e qendrës. Përtej stigmës së padrejtë, që i barazon në publik me korrupsionin, e vërteta është se shumica e bluzave të bardha janë zemra e këtij sistemi dhe shpëtojnë jetë njerëzish. Duke qenë të vetëdijshëm, do të investojmë për rritje pagash, në vitin që hyjmë për të gjithë trupin, mjekë, infermierë, që është e domosdoshme për të vijuar dhe dhënë një mesazh të fortë të respektit”, është shprehur kreu i qeverisë.
Ndërkohë ministrja Manastirliu deklaroi se investimi do të kushtojë 25 milionë euro, ndërsa punimet do të përfundojnë pas 30 muajsh.
“25 mln euro do të kushtojë investimi. Do të fuqizohen dy nga kolonat e shërbimit shëndetësor. Pas 30 muajsh do të kemi një spital të ri të sëmundjeve të brendshme. Në këtë spital do të jetë edhe shërbimi i urgjencës polivalente pa e zhvendosur pacientin”, tha ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë.
///
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.