Drejtësia

Miratimi i hartës së re gjyqësore, avokatët: Hapi final, Kushtetuesja

Gazeta Si – Pas vendimit të qeverisë për miratimin e hartës së re gjyqësore, Dhoma Kombëtare e Avokatëve ka deklaruar se hapi final do të jetë Gjykata Kushtetuese.

Ata kanë kundërshtuar këtë vendim dhe thonë se pasojat do të jenë të rënda nëse aplikohet.

“Kjo është harta më e gabuar që ka marrë KLGJ. Pasojat do të jenë të rënda nëse kjo hartë do të aplikohet”, u shpreh kreu i Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia.

Ashtu siç e kishte paralajmëruar në protestën e bërë para KLGJ-ë, Haxhia theksoi se avokatët do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e qeverisë.

“Të ndodhur në këto kushte, hapi ynë final do të jetë Gjykata Kushtetuese. Ky këshill ka ngritur një grup i cili do të paraqesë materialin për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ai.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi ditën e sotme miratimin e hartës së re gjyqësore. Ai u shpreh se në gjykatat që do të mbyllen nuk do të cënohet shërbimi gjyqësore dhe renditi fazat në të cilën do të kalojë implementimi i hartës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë