Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se operacionet e djeshme të policisë janë pjesë e skenarit për të shkatërruar dosjen ndaj Vangjush Dakos.
“Dosja hetimore mbi të cilën është vepruar përgjysmë natën e mbrëmshme është dosja hetimore e Vangjush Dakos. Peshku i madh i kësaj dosje është Vangjush Dako, i cili siç kam paralajmëruar tash në dy vjet është kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të prokurorisë shqiptare dhe të partnerëve ndërkombëtarë në transaksione politike dhe zyrtare me krimin e organizuar. Pra në shkëmbim të votave për partinë socialiste duke u ofruar tendera dhe të tjera lehtësira grupeve kriminale të krimit të organizuar shqiptar. Të tjerët janë peshq të vegjël që po serviren si pjesë e përpjekjes e Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës për të shpëtuar Dakon dhe për të shkatërruar provat e hetimet, në vend që të arrestojnë Vangjush Dakon”, u shpreh Basha.
Në fund, Basha theksoi se ky nuk është paragjykim, por faktim i atyre që ka thënë edhe më herët.
“Unë nuk paragjykoj asgjë. Unë ju kam thënë para dy vjetësh që ka një dosje për Vangjush Dakon te Krimet e Rënda. Unë ju kam thënë para dy javësh që po bëhet gjithçka për ta shkatërruar këtë dosje. Ajo që ndodhi mbrëmë është mosarrestimi i Vangjush Dakos dhe manipulimi i dosjes hetimore për t’ju ushqyer ju dhe përmes jush shqiptarëve disa peshq të vegjël. Është pikërisht ajo që po ndodh, nuk ka asnjë paragjykim këtu, por faktim të asaj që kam thënë prej kohësh. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj bashkë me Donika Prelën, e cila ka qenë prokurore në Durrës po bëjnë gjithçka që hetimi për Vangjush Dakon të degjenerojë në arrestimin e përkohshëm të disa ish-deputetëve dhe disa cironkave të tjera”, përfundoi Basha.
Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një statusi në “Twitter” ka reaguar mbi sulmet e PD-së ndaj Prokurorisë.
“Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s’ka më peshk se rob jo e jo, që s’e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë!Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet”, shkruan kryeministri Rama nw “Twitter”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.